Lajmet e fundit

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, gjatë protestës së sotme të komunave, ka kritikuar Qeverinë në detyrë dhe kryeministrin në detyrë Albin Kurti, duke deklaruar se problemi nuk qëndron te mungesa e institucioneve, por te mënyra se si, sipas tij, ato po përdoren për të bllokuar dhe ndëshkuar qytetarët.
Rama tha se komunat në të cilat Lëvizja Vetëvendosje nuk ka fituar zgjedhjet po përballen me pengesa në buxhet, investime dhe të hyra vetanake.
“Sot, pas gjithë sakrificës për ta ndërtuar këtë shtet, problemi ynë nuk është se nuk kemi institucione. Problemi është se Albin Kurti po i përdor institucionet për me e blloku dhe ndëshku qytetarët”, deklaroi Rama, transmeton Klankosova.tv.
Ai theksoi se, sipas tij, Qeveria po bllokon buxhetet dhe investimet e komunave ku VV-ja nuk ka fituar, ndërsa po ndërmerren edhe mjete nga buxhetet komunale për kontrata që, siç u shpreh ai, nuk janë në përgjegjësi të komunave.
“Shikojeni se çfarë po ndodh me komunat. Aty ku VV nuk fitoi, Qeveria po e bllokon buxhetin e investimet, po bllokohen të hyrat vetanake, po merren nga buxhetet komunale mjete për kontrata, për të cilat komunat as nuk i kanë vet. Edhe kush po e paguan këtë çmim? Nuk e paguajmë ne kryetarët, por ju, të dashur qytetarë”, tha Rama.
Sipas tij, komunat janë detyruar të dalin në protestë për të mbrojtur të drejtat dhe interesat e qytetarëve nga, siç tha ai, ndërhyrjet e institucioneve qendrore, transmeton Klankosova.tv.
“Duhet me i mbrojt komunat nga Qeveria jonë. Çfarë paradoksi...”, u shpreh Rama.
Ai pati edhe një mesazh të drejtpërdrejtë për kryeministrin në detyrë, duke thënë se buxheti i komunave nuk duhet të përdoret si mjet presioni politik.
“Buxheti i komunës, o Albin, nuk është instrument i disiplinimit politik, a merr vesh? Nuk është diktaturë kjo, është Republikë. Poshtë diktatura”, deklaroi ai.
Në fund, Rama tha se Kosova nuk i përket asnjë individi dhe se mesazhi i protestës, sipas tij, është i qartë “Mjaft më me bllokada”.