Rally of Hope bashkon mbi 100 milionë njerëz

Rally of Hope bashkon mbi 100 milionë njerëz

1 muaj më parë

Federata e Paqes Universale ka organizuar sot Tubimin e Shpresës (Rally of Hope), për të përcjellë mesazhin se bota ka shpresë dhe kjo është mundësia që të reflektojnë të gjithë dhe me në qendër dashurinë, të zgjidhen të gjitha llojet e konflikteve.

Tubimi i shpresës u ftua nga Hak Ja Han Moon, bashkëthemeluese e Federatës së Paqes Universale dhe bëri bashkë në gjithë botën, në kohë reale mbi 100 milionë ndjekës.

Në panel me të morën pjesë liderë religjiozë, president shtetesh dhe ekspertë të fushave të ndryshme.

Ish-sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-Moon, u është bashkuar liderëve botërorë për të kërkuar paqen përballë pandemisë COVID-19, e cila po kërcënon të zhytë botën në luftime mbi territore dhe burime, përçarje fetare dhe racore.

Ki-Moon bëri thirrje për një botë të unifikuar, prosperitet të ndërsjellë dhe vlera universale. Ai deklaroi se koha ishte që bota të ndërtojë ura, e jo të ngrinte mure në mënyrë që të kishte një botë të unifikuar.

“Nëse nuk arrijmë të bashkohemi si një bashkësi botërore, ekzistenca jonë do të kërcënohet. Paqja nuk është një çështje ekskluzive për një individ ose një komb. Paqja është dëshira jonë e zakonshme dhe një dëshirë e dashur për një kohë të gjatë. Unë besoj se paqja e qëndrueshme do të forcohet vetëm kur qeveritë dhe shoqëria civile të jenë partnerë të ngushtë me njëra-tjetrën”, tha Ki-Moon.

Hak Ja Han Moon dhe bashkëshorti i saj i ndjerë Reverend San Mjang Moon, për dekada të tëra, kanë mbrojtur filozofinë e ndërvarësisë, prosperitetit të ndërsjellë dhe vlerave universale, si mënyra më e sigurt për të sjellë paqen e qëndrueshme dhe për t’i sjellë botes shpresën.

Në panelin botëror mori pjesë edhe ish-presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, në cilësinë edhe të kryetarit të Këshillit të Paqes për Evropën.

Mesazhet e paqes u përcollën edhe nga Pulina White, këshilltarja e presidentit të SHBA-së Donald Trump, Hun Sen, kryeministër i Kamboxhias, Macky Sall, presidenti i Senegalit, Brigi Rafini, kryeministri i Nigerit, Jimmy Morales, president i Guatemalës dhe ish- kryeministri i Kanadasë Stephen Harper.

Tubimi i sotëm ishte kurorëzimi i përmbylljes së samiteve të paqes të mbajtura nëpër botë dhe që për shkak të pandemisë COVID-19 u zhvillua online.

klankosova.tv