Qytetarët shpërfaqin “mashtruesit” në faqen “Marakli të porosive online” (VIDEO) NULL NULL nga Kiks Kosova 06.06.2023 22:33 nga Kiks Kosova 06.06.2023 22:33 Sic është bërë traditë tashmë, në platformën sociale Facebook, ekziston një grup për çdo fenomen i cili bashkon audiencën. I tillë është edhe ai për shitjet online i titulluar si “Marakli të porosive online”. Përveç pyetjeve lidhur me produktet e caktuara, qytetarët e shfrytëzojnë këtë grup për të shprehur shqetësimet e tyre lidhur me produktet false dhe faqet që mashtrojnë qytetarët. Kjo bëhet për një qëllim të përbashkët – nëse njëri nga ta është mashtruar, mos të vazhdojë zinxhiri i mashtrimit edhe me të tjerët. Postimet e anëtarëve të këtij grupi, të cilët kanë raportuar për të tilla faqe, përmbajnë produkte nga më të thjeshtat e duke vazhduar deri në ato që shiten si produkte argjendi. Madje ka raste kur qytetarët të cilët kanë publikuar këto biznese, janë përballur me linçim nga po këto biznese, të cilat i kanë cilësuar si mashtrues. Lidhur me produktet false dhe mashtrimet me shitjet përmes internetit, Kiksi kishte raportuar disa herë. Por, çka realisht kuptuan qytetarët nga këto emisione? Në një nga episodet e Kiks Kosovës u raportua për një produkt, i cili shitej në internet si serum i cili ndikon në rritjen e gjatësisë trupore deri në 15 centimetra. Sipas instruksioneve, mjaftonte të lyheshin shputat e këmbëve dhe me kohën trupi i njeriut do të merrte atë gjatësi. Ndonëse i gjithë hulumtimi tregonte se si një serum i tillë nuk mund të ndikojë në gjatësinë trupore dhe se përveç tjerash është thjesht një mashtrim, i përcjellë edhe me këshilla nga ekspertët mjekësorë, qytetarët vazhduan të kenë interesim për të. Me të publikuar materialet në rrjetet sociale të emisionit, KIKS-i pranoi një mori mesazhesh. Por ato nuk ishin mesazhe të zakonshme! Qytetarët kërkonin të bënin porosinë për “vajin magjik” i cili do të ndikonte në gjatësinë e tyre trupore. Edhe përmes mesazheve private, ekipi i KIKS-it u mundua që edhe një herë t’i informojë këta qytetarë që bëhet fjalë për mashtrim. Mirëpo, kishte prej atyre rasteve kur edhe pas mesazhit informues, fakti që vaji nuk mund të blihej në këtë adresë nuk mund të pranohej. Një hulumtim tjetër i Kiks Kosovës ishte edhe për hapjen e bunarëve në vendet e Afrikës dhe mundësinë që qytetarët po mashtroheshin duke paguar për to. Avazi i njëjtë e përcolli edhe këtë temë. Mirëpo këtu qytetarët ndaheshin në dy grupe – ata që kërkonin direkt porosinë për hapjen e bunarëve dhe ata që kërkonin nga Kiksi t’u tregojnë se kush nga organizatat janë korrekte dhe të vërteta. Blerjet e shpejta në internet e kanë lehtësuar jetën e njerëzve mirëpo kanë hapur edhe një vrimë tjetër – atë të mashtrimit. Përmes verifikimit të këtyre faqeve dhe produkteve që shiten, të gjithë mund ta ruajnë fillimisht shëndetin e pastaj edhe xhepin. /Klankosova.tv Rrini të informuar mbi zhvillimet kryesore duke u bërë pjesë e komunitetit tonë në Viber BONUS: Merreni aplikacionin tonë në Android dhe iOS *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.