Quni vizitoi organizatën e njohur ndërkombëtare të deminimit HALO Trust

Quni vizitoi organizatën e njohur ndërkombëtare të deminimit HALO Trust

NULL NULL
1 muaj më parë

Ministri i Mbrojtjes Anton Quni vizitoi sot Organizatën për Mbështetjen e Jetërave në Zonat e Rrezikshme (Hazardous Area Life-support Organization) të njohur si The HALO Trust – Programi në Kosovë.

Me këtë rast, në selinë qendrore të saj në Gjakovë, Quni u prit prej menaxheres së HALO Trust–Programi në Kosovë Olivia Meader e cila e njoftoi atë me misionin e organizatës, aftësitë dhe kapacitetet operacionale të angazhuara në programin për Kosovë që nga viti 1999, si dhe strategjinë për të ardhmen.

Quni shprehu falënderimin dhe mirënjohjen e thellë për kontributin e madh të HALO Trust – Programi në Kosovë, në misionin e tyre të shenjtë, që nga paslufta, në mbrojtjen e jetërave të qytetarëve tanë duke eliminuar dhe minimizuar vatrat potencialisht të rrezikshme nga minat dhe mjetet tjera eksplozive të pashpërthyera të mbetura nga lufta e fundit.

Gjithashtu, ai vlerësoi lart edhe kontributin e madh të personelit të saj në edukimin dhe ndërgjegjësimin e qytetarëve rreth minave tokësore dhe mjeteve tjera eksplozive të pashpërthyera, si dhe rikthimin dhe qëndrimin e sigurt në vendbanimet e tyre.

Quni e vlerësoi si shumë të rëndësishëm edhe bashkëpunimin dhe koordinimin e ngushtë të HALO Trust me Qendrën Koordinuese të Deminimit të FSK-së, si dhe mbështetjen e pandërprerë profesionale me përvojën operative të tyre për kontingjentin e Kompanisë së Deminimit të FSK-së me zotimin e përbashkët me Meader për thellimin e bashkëpunimit edhe në të ardhmen.

The HALO Trust është një organizatë bamirëse anglo-amerikane e cila merret me asgjësimin e mbetjeve eksplozive të pashpërthyera të pasluftës, në veçanti minat tokësore. Kjo organizatë aktualisht operon me rreth 6000 deminues në të gjithë botën.