Lajmet e fundit

Kosova ka pezulluar përkohësisht importimin e disa barnave dhe terapive të prodhuesit indian “Swiss Parenterals Limited”, pas shqetësimeve për shkelje të rënda të standardeve të sigurisë në procesin e prodhimit.
Me vendim të datës 30 gusht, Agjencia Kosovare për Produkte dhe Pajisje Medicinale (AKPPM) ka urdhëruar pezullimin e përkohshëm të importit të produkteve të përfshira në vendim, si dhe bllokimin e stokut ekzistues.
Vendimi vjen pas një alarmi të ngritur më herët nga autoritetet kroate, të cilat kishin evidentuar shkelje të rënda në dy njësi të prodhuesit indian “Sëiss Parenterals Limited”. Shkeljet lidhen me çështje të sterilitetit, duke ngritur shqetësime për sigurinë dhe cilësinë e barnave.
Në mesin e produkteve të prekura është edhe Ceftriaxone, i cili përdoret edhe në institucionet shëndetësore publike të Kosovës.
Qendra Klinike Universitare e Kosovës, në një përgjigje për Klan Kosovën, ka konfirmuar se Ceftriaxone është produkt i prodhuesit “Swiss” dhe se gjendet në listën e produkteve të përfshira në pezullimin e AKPPM-së.
“Ceftriaxone është produkt me origjinë nga prodhuesi Swiss dhe gjendet në listën e produkteve të përfshira në pezullim, në përputhje me vendimin e AKPPM-së”, thuhet në përgjigjen e QKUK-së.
Sa u përket produkteve NaCl dhe Ringer, QKUK sqaron se, megjithëse edhe ato janë të prodhuara në Indi, deri më tani nuk ka pranuar ndonjë njoftim apo vendim zyrtar nga Inspektorati Farmaceutik ose AKPPM-ja për pezullimin apo ndalimin e përdorimit të tyre.
“ Prandaj, në mungesë të një njoftimi apo vendimi zyrtar për këto dy produkte, nuk kemi bazë zyrtare për t’i konsideruar ato si produkte të pezulluara apo për të ndaluar përdorimin e tyre. Në rast se pranohet ndonjë njoftim apo udhëzim i ri zyrtar nga institucionet kompetente, do të veprohet në përputhje me të dhe do të njoftohen njësitë përkatëse", thonë nga QKUK, njofton Klankosova.tv.