Lajmet e fundit

Dy pushues nga Lipjani kanë raportuar në Policinë e Ulqinit se janë viktima të një vjedhjeje në Plazhin e Vogël, gjatë kohës sa po qëndronin për pushime, në fund të këtij muaji.
Për këtë, rasti tashmë është shoqëruar edhe me pamjet e momentit të vjedhjes së çantës së tyre, në të cilën kishin qindra euro e shumë gjësende tjera me vlerë.
Ndërkohë, sipas procesverbalit të Policisë së Ulqinit, që ka parë Klankosova.tv, njëri prej qytetarëve është paraqitur vetë në stacionin policor më 27 gusht 2026, rreth orës 16:50, për të raportuar rastin.
Ai ka deklaruar se së bashku me shokun e tij kishin arritur në Ulqin në orët e hershme të mëngjesit të asaj dite dhe rreth orës 10:30 kishin shkuar në plazh.
Ata kishin marrë me vete një çantë të zezë, në të cilën ndodheshin paratë dhe disa gjësende, siç janë kartaleat bankare e shumë të gjëra të tjera.
Sipas deklaratës së dhënë në polici, në portofolin e njërit prej tyre kishte 470 euro, ndërsa në tjetrin ndodheshin edhe 300 euro të tjera.
Përveç parave, sipas procesverbalit, janë vjedhur edhe dy telefona – një iPhone 12 Pro Max dhe një iPhone XS Max – si dhe letërnjoftime, pasaporta, patenta shoferi, kartela bankare, çelësa të shtëpive dhe automjetit, orë dore, syze dielli dhe veshje.
Dy pushuesit kanë deklaruar se rreth orës 11:00 kanë hyrë në det për t'u larë, ndërsa çantat me sendet personale i kanë lënë pranë çadrës së tyre, pas rreth 15 minutash, kur janë kthyer, kanë vërejtur se sendet nuk ndodheshin më aty.
Rasti është regjistruar nga Policia e Ulqinit dhe sipas dokumentit, qytetari ka dhënë detaje për sendet e vjedhura.
Në një ankesë të dërguar, qytetari është ankuar se pavarësisht paraqitjes së rastit në policinë e Ulqinit, askush nuk është merr më me të.
Gjithashtu, ai shpreson se videoja e publikuar e momentit të vjedhjes të ndihmojë në identifikimin e personave të dyshuar dhe në gjetjen e sendeve të humbura.
“Janë sende me vlerë, çanta me telefon, çelësat e kerrit edhe shumë para. Ku duhet me u drejtu unë, kush merr masa për këtë punë?”, është shprehur ai në ankesën e tij.