Qeveria Shqiptare: Kriza në Maqedoni të mos përshkallëzohet - Klan Kosova


Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Qeveria Shqiptare: Kriza në Maqedoni të mos përshkallëzohet

NULL NULL
10/05/2015

Qeveria Shqiptare në krye me Edi Ramën ka lëshuar një deklaratë mbi ngjarjet në Kumanovë të Maqedonisë.

Në këtë deklaratë thuhet se Qeveria e Republikës së Shqipërisë ka ndjekur me vëmendje të veçantë dhe shqetësim të madh zhvillimet tragjike të orëve të fundit në Kumanovë të Maqedonisë dhe shpreh keqardhjen me të thellë për humbjen e njerëzve.

Në këtë deklaratë thuhet po ashtu se Qeveria e Shqipërisë mbron bindjen se në asnjë rrethanë nuk mund të lejohet që kriza në Maqedoni të përshkallëzohet.

Deklarata e Qeverisë Shqiptare:

Qeveria e Republikës së Shqipërisë ka ndjekur me vëmendje të veçantë dhe shqetësim të madh zhvillimet tragjike të orëve të fundit në Kumanovë të Maqedonisë.

Duke shprehur keqardhjen më të thellë për humbjen e jetëve njerëzore, Qeveria e Shqipërisë mbron bindjen se në asnjë rrethanë nuk mund të lejohet që kriza në Maqedoni të përshkallëzohet. Zhvillimet dramatike të ditëve të fundit në Kumanovë kanë cenuar normalitetin dhe marrëdhëniet ndëretnike, të cilat mbeten ende të brishta për shkak të moszbatimit të plotë të Marrëveshjes së Ohrit, por pa dyshim janë jetike për ekzistencën e shtetit maqedonas.

Në këto kushte është më shumë rëndësi mbrojtja e jetës, pronës dhe lirive e të drejtave të çdo qytetari të Maqedonisë, pavarësisht, përkatësisë së tij etnike. Më shumë së asnjëherë, kjo vlen aktualisht për Kumanovën e banuar kryesisht nga shqiptare.

Reja e paqartësisë mbi të gjitha orët e renda të Kumanovës, te cilat u përjetuan me ankth nga shqiptaret kudo ku jetojnë, duhet t’ia lere vendin sa me pare transparencës së plotë për këtë ngjarje. Përveçse policëve të vrarë dhe të plagosur, ende nuk është thënë asgjë për jetët e qytetarëve të pa mbrojtur të Kumanovës, për arratinë e tyre, për pronën e tyre të bastisur, djegur dhe shkatërruar. Padyshim kjo paqartësi shqetësuese nuk ndihmon në kthimin e plotë të normalitetit. Por po ashtu kjo e bën edhe më imediate nevojën për kthjelltësi, qartësi dhe durim për t’i shkuar të vërtetës deri në fund.

Republika e Shqipërisë bën thirrje për qetësi, vetëpërmbajtje dhe një zgjidhje të duhur të krizës në shërbim të qytetarëve dhe aq të domosdoshme në funksion të stabilitetit.