Qeveria i kundërpërgjigjet Dioguardit NULL NULL 01.05.2015 18:41 01.05.2015 18:41 Qeveria e Kosovës iu është përgjigjur akuzave të ish-kongresmenit Josep J. Dioguardi se elita politike shqiptare e Kosovës po bëhet gjithnjë e më e pasur, derisa shumica e popullit shqiptar po varfërohet çdo ditë e më shumë si pasojë e qeverisë Thaçi që është kthyer në sipërmarrje shantazhi. Petrit Selimi, Zëvendësministër i Punëve të në emisionin Info Magazine të Klan Kosovës tha se akuzat e Dioguardit janë të pabaza. “Nuk janë befasuese këto deklarata nga Joe Dioguardi. Ai tash e disa dekada nuk është më kongresmen, është qytetar privat në pension dhe tash e disa vite po përdor gjuhë partiake duke marrë edhe rol pothuajse opozitar në Kosovë. Edhe vitin e kaluar, por edhe më herët, ai ka bërë deklarata të tilla. Me rëndësi është që në Kongresin Amerikan edhe Partia Republikane edhe Partia Demokratike bashkërisht e kanë nominuar Hashim Thaçin për Çmimin Nobel për Paqe. Fatkeqësisht, Joe Dioguardi nuk është më ai kongresmeni i fëmijërisë sonë, kur vinte te zoti Rugova si avokat i Kosovës. Tash e ka marrë një rol partiako-politik”, ka thënë Selimi. Sipas tij, deklaratat e Dioguardit nuk janë të hijshme. “Edhe vitin e kaluar në mënyrë konsistente ai ka qenë kundër PDK-së, njëjtë si në këto tri-katër vjetët e fundit. Ne në Kosovë nuk japim deklarata për partitë politike në Amerikë, sepse nuk na takon. Fjalët që i ka përdorur ai i përdorte edhe Jeremiqi”. Selimi tha se ata që mendojnë se Kosova ka stagnuar dhe është shantazhuese, janë persona që kanë interesa të caktuara. “Nëse Qeveria e Kosovës është shantazhuese, atëherë komplet politika, komplet Kuvendi, dhe gjithë ajo që kemi ndërtuar ne tash e shtatë vite qenka një shantazh i madh. Nuk është Kosova e tillë, ashtu siç e pasqyrojnë dhe paragjykojnë njerëzit që kanë interesa nga Serbia”. Kurse sa i përket akuzave të Dioguardit për hetime ndaj ish-Ambasadorit Amerikan në Kosovë, Christopher Dell, Selimi ka thënë se ndaj Dellit nuk ka ndonjë akuzë korruptive. “ Këto akuza janë nga gazeta The Guardian ,OJQ të ndryshme, por nuk janë të rëndësishme sepse nuk mund të dalim dhe ta shajmë dikë në televizion, pa pasur dëshmi. Fakti që Dell punon në Bechtel nënkupton se nuk ka ndonjë dyshim për afera korruptive. Më vjen keq që një ish hero i luftës së pavarësisë së Kosovës, sot bie në atë nivel që pikërisht për atë Kosovë sot flet me kolegët e vet në mënyrë jo të përshtatshme, partizançe. Mendimi i Kongresit Amerikan është në faqet zyrtare, Diogardi është thjesht një i pensionuar”, ka përfunduar Selimi. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.
Kosova Shpëtohen një shqiptar dhe një turist gjerman, u helmuan nga një bimë në Malin e Korabit 5 orë më parë