Lajmet e fundit

Dita e parë e vitit të ri shkollor ka nisur me grevë për 250 punëtorë teknikë në shkollat e Prishtinës.
Punëtorët teknikë të shkollave fillore, të mesme të ulëta dhe të mesme të larta në Prishtinë kanë hyrë sot në grevë për shkak të vonesave të ekzekutimit të pagave për muajt korrik dhe gusht.
Kryetari i Federatës Sindikale të Punëtorëve Teknikë të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, ka akuzuar Komunën e Prishtinës për, siç tha, neglizhencë dhe mungesë bashkëpunimi me punëtorët.
Ai tha se greva ishte paralajmëruar rreth një muaj më parë dhe se sindikata kishte kërkuar disa herë zgjidhje nga Komuna e Prishtinës.
“Në radhë të parë mund të themi se Komuna e Prishtinës ka qenë jo bashkëpunuese, jo serioze, bile-bile po themi kështu ndoshta mund ta përdorim një fjalë shumë të rëndë, jashtëzakonisht njerëz të cilët nuk kanë ndjeshmëri për rastet konkrete, sepse i kemi rreth 250 punëtorë që sot janë në grevë. Për paralajmërimin për këtë grevë e kemi bërë diku para një muaji e ditë, dy-tri herë i kemi shkruar kryetarit të komunës, drejtorit të Arsimit dhe njerëzve kompetentë, por asgjë nuk ka lëvizur”, tha Azemi.
Sipas tij, punëtorët e shkollave të mesme të larta nuk janë paguar për muajt korrik dhe gusht, ndërsa punëtorët e shkollave fillore janë në pritje të pagës së gushtit dhe të 11 ditëve të muajit korrik.
Azemi tha se vonesat lidhen me pagesat që Komuna e Prishtinës duhet t’ua bëjë kompanive të kontraktuara për mirëmbajtjen e shkollave.
Sipas tij, kjo situatë po bartet drejtpërdrejt te punëtorët, të cilët kanë mbetur pa paga.
Ai bëri të ditur se bëhet fjalë për kompanitë “Schalbergera” dhe “Aroma”, duke thënë se punëtorët kanë bashkëpunim të mirë me to, por se problemi, sipas tij, është te pagesat të cilat siç thonë ata nuk iu bëhen kompanive të kontraktuara nga Komuna.
Sipas tij, punëtorët do të vazhdojnë grevën deri në zgjidhjen e problemit dhe pagesën e pagave.
Në grevë është edhe stafi teknik i Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Gjelbër” në Prishtinë.
Kryetari i punëtorëve teknikë të kësaj shkolle, Ruzhdi Ademi tha se vonesat në paga po u shkaktojnë vështirësi të mëdha punëtorëve që kanë familje dhe kredi bankare.
Ai thotë se mungesa e punëtorëve teknik është edhe më shqëtësuese në shkollat me mësim tërëditore por sipas tij nuk kanë zgjidhje tjetër.
Të njëjtin shqetësim e kanë edhe punëtorët teknikë të Shkollës “Naim Frashëri”.
Atje janë 12 punëtorë teknikë, të cilët thonë se pagat e vonuara nuk janë problem i ri.
Buzaku tha se punëtorët e kuptojnë se greva ndikon në funksionimin e shkollave, por se sipas saj nuk kanë alternativë tjetër.
Punëtorët teknikë kanë bërë të ditur se do të vazhdojnë grevën deri në pagesën e pagave të vonuara.
KosovaPress ka kontaktuar rreth këtij problemi edhe me Drejtorinë e Arsimit të Komunës së Prishtinës dhe është në pritje të një përgjigjjeje.
Ndërkaq Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat të Kosovës Jusuf Azemi me 24 gusht ka bërë të ditur se nga 1 shtatori punëtorët teknikë të shkollave të fillore, të mesme të ulëta dhe të larta janë në grevë.