PSD: Kryetaren e Speciales e presim me protestë - Klan Kosova

Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

PSD: Kryetaren e Speciales e presim me protestë

NULL NULL
29/06/2022

Partia Socialdemokrate ka paralajmëruar një protestë me rastin e vizitës në Kosovë të kryetares së Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova.

Në një konferencë për media, kryetari i PSD-së Dardan Molliqaj, tha se qëllimi i Speciales nuk është sjellja e drejtësisë, por damkosja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Gjykata Speciale ka nisur tash e 7 vite. Me një qasje një-etnike ndaj luftës në Kosovë, me shkeljen e të drejtave të njeriut për të akuzuarit, me gjyqtarë racist që shqiptarët i sheh si “kafshë që duhen zbutur”, e deri tek mungesa e simboleve shtetërore të Kosovës në një gjykatë të saj, roli i Gjykatës Speciale nuk është ai i sjelljes së drejtësisë, por i damkosjes së UÇK-së dhe luftës së saj çlirimtare”, tha Molliqaj.

Molliqaj tha se kjo protestë do të zhvillohet kurdo që do të ndodhë vizita e Trendafilovas.

“Por, sido që të rrjedhin ngjarjet, dhe për kurdo që do të shtyhet vizita, protestë do të ketë. Nga qëllimi dhe mbajtja e protestës nuk heqim dorë. Ajo do të ndodh po atë ditë kur të konfirmohet vizita e znj.Trendafilova”.

I pari i PSD-së shtoi se kjo gjykatë tani po mundohet që të merret me imazhin e saj.

“Kryetarja Ekaterina Trendalifova, anuloi vizitën e saj. Por cili është qëllimi apo kuptimi i takimit të një gjykate me shoqërinë civile? Tejet e çuditshme, apo jo? Gjykata Speciale tashmë as nuk po fshehet prapa drejtësisë. Ajo ka filluar të merret me imazhin e saj. Po bënë politikë”.

“Tendecave që përmes këtyre takime të normalizohet përndjekja politike do t’u përgjigjemi pa hezitim. Me rezistencë” – shtoi kreu i PSD-së, Dardan Molliqaj.