10:08, 26 Maj 2019

“Erdhëm prej muzikës, thamë oh interesante”, u shpreh një turist i huja. Për herë të parë Tomi bashkë me të dashurën e tij kanë ardhur nga Gjermania në Shqipëri për pushime.

“Kam dëgjuar në Gjermani për protestat këtu. Kam lexuar edhe në gazeta për zhvillimet politike. Dhuna nuk është mënyra më e mirë, e duhura”, tha Tom Wollmer, turist.

Të surprizuar me organizimin e protestës mbeten çifti skocez. Vizita e parë e Jim-it ka qenë një vit më parë për punë , ndërsa ka vendosur që këtë herë të sjell bashkëshorten e tij të shoh Shqipërinë, por pa qenë në dijeni për manifestimin opozitar.

“Mendoj se është mirë që të ketë protesta. Nëse mendon se të shkelen të drejtat, duhet të protestosh”, u shpreh turistja Elspeth Sproat.

“Por ne normalisht nuk kemi muzikë në protesta. Po më duket më shumë si koncert muzikor”, tha turisti Jim Sproat.

Protesta në sytë e turistëve. kuriozitetin që kanë ata zgjedhin ta shuajnë jo në mes të njerëzve, aty ku pulson protesta, por të qëndrojnë larg saj.

“Shumë i suprizuar kur shoh kaq shumë njerëz, kaq shumë forca policie! Kam dëgjuar se protestën e shkuar u hodh bombë molotov dhe u bë një rrëmujë e vërtetë. I shoh policët të përgatitur me maskë kundra gazit, do të thotë që presin të ndodh një rrëmujë tjetër. Ndaj më mirë të largohemi”, tha një tjetër turist.

“Dëgjova diçka që plasi, nuk ndihem dhe aq i sigurt tani. Në Hong Kong gjithashtu organizohen shpesh protesta, por në përgjithësi nuk janë të tilla, por të paqta”, thotë një tjetër i huaj.

Christian dhe Omar mësuan pasi erdhën nga Italia se do të kishte protestë. Kuriozë për të parë situatën u bënë pjesë e saj. Me dy gishtat lart, tregues të paqes, të rinjtë bëjnë thirrje për të mos pasur dhunë. Edhe pse, protestuesit i marrin për demokratë.

“Gjithmonë paqe. Ne nuk duam luftë, nuk duam dhunë!”, thanë ata./top channel/

Konkurs Pune

Lexo më shumë