Lajmet e fundit

“Jo në emrin tim” ka thirrur përsëri qytetarët në shesh për të kundërshtuar vendimin dënues të Speciales për ish-krerët e UÇK-së, por që nga sot ka ndryshuar edhe orari.
Për më shumë, nga vendi i ngjarjes ka raportuar gazetari Kastriot Tahiri.
“Ora 19:00 ishte koha në të cilën ishte caktuar që të gjithë qytetarët, të cilët janë kundër këtij vendimi, të mblidheshin në shesh dhe të protestonin për të ngritur sërish zërin dhe për të drejtuar kërkesat e tyre, të cilat tash e 17 net me radhë i kanë bërë fillimisht në sheshin ‘Skënderbeu’”, ka thënë Tahiri.
“Mirëpo, sot, ndryshe nga herët e tjera, përveç fjalimeve në shesh nga organizatorët, si dhe nga familjarët e dëshmorëve, të cilët u shprehën kundër vendimit të marrë të mërkurën, më 16 shtator, protestuesit vazhduan rrugën edhe këtu, te Ministria e Drejtësisë”.
“Përgjatë rrugës, që nga sheshi ‘Skënderbeu’ e deri këtu, ata gjatë gjithë kohës thërrisnin ‘UÇK, UÇK’, ndërsa i bënë thirrje edhe Ministrisë së Drejtësisë për ta votuar ligjin”.
Sipas Tahirit, ata thanë se i gjithë ai ligj që është përgatitur nuk duhet të qëndrojë në tavolinat apo raftet e ministrisë, por duhet të votohet dhe se është shumë i rëndësishëm.
Andaj, kërkuan që sa më parë të gjendet një zgjidhje dhe të votohet ky ligj, i cili, sipas tyre, mbron vlerat e UÇK-së dhe është në kundërshtim me vendimin e Hagës.
“Sigurisht, nga protestuesit këtu, në oborrin e Ministrisë së Drejtësisë, u hodhën edhe disa mjete piroteknike, ndonëse organizatorët u kishin bërë thirrje që një gjë e tillë të mos bëhej”.
“Policia ishte e pranishme në numër më të madh dhe po e mbronte objektin, duke penguar në njëfarë mënyre hyrjen dhe afrimin e protestuesve”.
“Ndërkohë, rrugët u bllokuan gjithandej, ndërsa për të penguar qarkullimin e automjeteve u përkujdes edhe Policia e Kosovës”.
Tahiri tha se me përfundimin e protestës, u këndua, si zakonisht, kënga “Besa-Besë”, ndërsa qytetarët filluan të shpërndaheshin në rrugët e tyre, për t'u mbledhur sërish në orarin e ri, i cili, nga sot, është caktuar në orën 19:00.