Lajmet e fundit
Në fshatin Kliqinë të Komunës së Pejës u mbajt të martën dita e tetë e protestës së banorëve, të cilët po kundërshtojnë mosrealizimin e kërkesave të tyre për përmirësimin e infrastrukturës dhe rritjen e sigurisë në komunikacion.
Një banor i fshatit, për Klankosova.tv, ka bërë të ditur se protesta po vazhdon për shkak të mosadresimit të kërkesave të qytetarëve. Sipas tij, kërkesa kryesore është ndërtimi i një rrethrrotullimi në këtë pjesë të rrugës, si dhe krijimi i një kalimi të sigurt për fëmijët.
Ndërkohë, sipas gazetarit korrespodent të Klan Kosova, Valdrin Daci, dje pati forca të shtuara të policisë në këtë protestë.
“Disa nga banorët e kanë kaluar kordonin policor të Njësisë Speciale dhe si pasojë janë ndaluar tre persona, dhe në mesin e tyre është ndaluar edhe përfaqësuesi i fshatit, Elbasan Krasniqi”, u shpreh Daci në emisionin “Ora Shtatë”.
Gazetari bëri të ditur se banorët kanë njoftuar se edhe sot do të vazhdojë protesta e tyre.