16:02, 20 Shtator 2019

Filmi “Zana” i regjisores Antoneta Kastrati është zgjedhur nga komiteti selektues që të jetë propozimi i Kosovës për kategorinë Best International Feature të OSCARS.

Kastrati në Ora e Pasditës në Klan Kosova ka thënë se selektimi i filmit “Zana” është një gjë që e ka gëzuar shumë.

“Një lajm shumë i mirë që se kam prit, kam pas shpresë, por jam gëzuar shumë është një nder të përfaqësoj Kosovën pas një pune shumë të gjatë”.

“Kam punuar një kohë të gjatë për këtë film, ka para pesë viteve që kam filluar të shkruaj tekstin e filmit. Në këtë film bëhet fjalë për  një nënë e cila e ka humb fëmijën gjatë luftës dhe se pas luftës ballafaqohet me stresin dhe traumën. Ky personazh nuk ka mundësi me u bë nënë dhe nuk mundet të mbetet shtatzënë, ajo dërgohet tek hoxhallarët për t`u shëruar. Ky është pak a shumë filmi”.

Ajo tha se për të si regjisore ka qenë një ndjenjë e mirë kur mori mbështetje për filmin edhe gjatë premierës në festivalin e Torontos në Kanada.

“Për mua si regjisore ka qenë ndjenjë e mirë kur filmi mori mbështetje edhe gjatë premierës nga shqiptarët që erdhën atje për shikuar premierën. Po ashtu është ndjenjë e mirë që shumica nga ata kanë qarë”.

“Unë ndjehem e lehtësuar që edhe njerëzit tjerë munden me parë se si janë ndjerë kosovarët pas luftës, do të thotë përjetimet pas përfundimit të luftës”.

“Aktorët e filmit të gjithë kanë qenë të mirë, jam e kënaqur me punën e të gjithëve”, ka thënë Kastrati.

Ndërsa, aktorja e rolit kryesor të filmit Adriana Matoshi, ka thënë se ky është një nga rolet më të vështira të saj.

“Ndjehem mirë që filmi është selektuar, po shpresoj se pas një periudhe të gjatë të punës po shkeli atje ku duhet, atje ku e kam vendin”.

“Ky rol ka qenë prej më të vështirëve, nuk ka qenë aspak lehtë me xhiruar në temperatura të ftohta”.

“Mandej me qenë në rol nuk ka qenë e lehtë pasi ka qenë një roli i nënës ku është shumë e vështirë të aktrosh, pasi unë jam një nënë, dhe ka qenë shumë e vështirë si nënën me i menduar të gjitha”.

“Disa herë gjatë xhirimeve ka ndodh që kam pas shumë kokëdhimbje, ka ndodhur që kam marrë infuzion dhe më pas jam kthyer në xhirime”, tha Matoshi.

Ky film ka premierën sot në kinemanë Cineplexx në Prishtinë.

Konkurs Pune

Lexo më shumë