16:56, 19 Shtator 2019

Komisioni i Venecias është rikthyer sërish në Tiranë, kësaj radhe për çështjen e pronave në vend. Fillimisht ata u takuan me përfaqësuesit e Partisë Demokratike.

Jorida Tabaku dhe Oerd Bylykbashi theksuan se për shkak të mungesës së Gjykatës Kushtetuese, pronarët nuk kanë ku të ankohen. Sipas tyre, qeveria është e vetmja përgjegjëse për shkeljen e të drejtave që po u bëhen pronarëve.

Jorida Tabaku: Çështja e pronave ka pasur përkeqësim gjatë qeverisjes së Edi Ramës me miratimin e ligjeve antikushtetuese që bien ndesh me të drejtat e pronarëve.

Oerd Bylykbashi: Gjithashtu patëm mundësinë që me ekspertët e Komisionit të Venecias të shpjegojmë edhe themelin e gjithë këtij mekanizmi djallëzor që ka futur Edi Rama në raport me të drejtën e pronarëve për të marrë përsëri pronën e tyre. Kemi vite tashmë që e dimë që qeveria nuk kthen më prona, nuk kompenson dhe ka vënë një mekanizëm me të cilën ka rishpronësuar përsëri pronarët. Interesi publik është respektimi i Kushtetutës dhe të drejtave që pronarët shqiptarë kanë dhe u bëmë të qartë që fikja dhe eleminimi i Gjykatës Kushtetuese dhe bllokimi tashmë i sistemit të drejtësisë për të vënë në vend të drejtat e pronarëve qoftë për sa i përket aspektit kushtetues apo të drejtave të tyre ligjore është i qëllimshëm në kuadër të këtij mekanizmi, që pronarët të mos kenë mundësi të ankohen në Gjykatë Kushtetuese dhe në gjykatë kundër padrejtësive të ligjit.

Dy ish-deputetët ia bënë të ditur përfaqësuesve të Komisionit të Venecias se ligjet që shkojnë në dëm të pronarëve, sipas tyre do të rrëzohen kur Partia Demokratike të vijë në pushtet. Takimet e ekspertëve të huaj do të vijojnë me grupet parlamentare./tv klan/

 

Konkurs Pune

Lexo më shumë