Lajmet e fundit

Kryediplomati kosovar, Glauk Konjufca, ka marrë pjesë në takimin e ministrave të jashtëm të Procesit të Berlinit, të mbajtur në Mal të Zi.
Konjufca bëri të ditur përmes një njoftimi në X se në këtë takim, ku morën pjesë përfaqësues të vendeve të rajonit, Gjermanisë dhe Bashkimit Evropian, ka theksuar nevojën për trajtim të barabartë të të gjithë partnerëve të Ballkanit Perëndimor.
“Bashkëpunimi rajonal duhet të garantojë trajtim të barabartë për të gjithë partnerët e WB6, të përmbushë çdo zotim dhe të mbrojë të drejtat e çdo komuniteti. I njëjti standard duhet të zbatohet edhe për shqiptarët në Luginën e Preshevës”, ka shkruar Konjufca.
Ai ka përmendur pasivizimin e adresave, pengesat në njohjen e diplomave dhe, siç ka thënë, nën-përfaqësimin e shqiptarëve në institucionet shtetërore të Serbisë.
“Nuk mund të ketë standarde të dyfishta”, ka theksuar kryediplomati kosovar.
Konjufca ka folur edhe për rrugën evropiane të Kosovës, duke thënë se vendi është i gatshëm të ecë përpara bazuar në merita dhe rezultate.
“Progresi që kemi arritur duhet tashmë të reflektohet në hapa konkretë drejt statusit të vendit kandidat dhe hapjes së negociatave të anëtarësimit”, ka shkruar ai.
Takimi u organizua nga zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Malit të Zi, Ervin Ibrahimović, së bashku me ministrin e Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, dhe përfaqësues të Bashkimit Evropian e vendeve të rajonit.