Lajmet e fundit

KB Bashkimi është kurorëzuar me trofeun e Superkupës së Kosovës në basketboll, pasi mposhti kampionin në fuqi, Trepçën, me rezultat 103-93 në një finale të jashtëzakonshme dhe plot emocione.
Përballja mes dy rivalëve të vjetër të basketbollit kosovar ofroi spektakël dhe luftë të pakompromis në parket, por në fund ishte skuadra nga Prizreni ajo që tregoi më shumë qetësi dhe saktësi në momentet vendimtare për të siguruar fitoren e madhe, raporton Klankosova.tv.
Përveç rivalitetit të lartë sportiv, finalja u përcoll edhe me momente tensioni. Sfida u ndërpre përkohësisht për shkak të revoltimit të tifozerisë prizrenase “Arpagjikët” ndaj gjyqtarit Xhelal Mumini.
Pas tensioneve të krijuara, së bashku me tifo-grupin mitrovicas “Torcida”, tifozët lëshuan shkallët e palestrës para se ndeshja të vazhdonte drejt fundit të saj.
Në aspektin individual, te Bashkimi shkëlqeu dyshja Shorter dhe Bailey, të cilët ishin të pandalshëm duke realizuar nga 23 pikë secili.
Te skuadra e Trepçës u dalluan Payne me 22 pikë dhe Mobley me 21 të tilla, mirëpo paraqitja e tyre nuk mjaftoi për të evituar humbjen dhe për të mbrojtur trofeun.