Përleshje mes kushërinjve, vritet 27-vjeçari në Prizren NULL NULL 14.06.2026 13:44 14.06.2026 13:44 Një person ka humbur jetën si pasojë e një përleshjeje të ndodhur paraditen e së dielës në fshatin Kobaj të Prizrenit. Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, tha për Klankosova.tv se rasti është raportuar rreth orës 11:50, ku dy familje, kushërinj mes vete, janë përfshirë në një konflikt fizik duke përdorur mjete të forta. “Si pasojë e lëndimeve të marra nga një mjet i mprehtë (thikë), ka humbur jetën një mashkull rreth 27 vjeç”, ka deklaruar Bytyqi. Sipas tij, personat e dyshuar, si dhe familjarët e viktimës, janë shoqëruar në Stacionin Policor në Prizren për procedura të mëtejshme. “Në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitë përkatëse policore, si dhe eprorët nga Stacioni Policor Prizren dhe Drejtoria Rajonale e Policisë në Prizren. Policia ka ndërmarrë masa sigurie me qëllim të ruajtjes së rendit dhe sigurisë së personave të përfshirë”, tha Bytyqi. Ai shtoi se Policia e Kosovës, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, është duke zhvilluar hetime intensive për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes. “Policia, në koordinim të ngushtë me Prokurorin e Shtetit, është duke ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit”, deklaroi Bytyqi. Derisa në fund ai bëri të ditur se i lënduar ka mbetur edhe një person i moshës 57 vjeçare, që dyshohet të jetë babai i viktimës.