Lajmet e fundit

Nga sot e deri më 13 shtator, Muzeu i Burgut të Prishtinës, “Burgu i Idealit”, shndërrohet përkohësisht në një hapësirë që ka në fokus radion dhe artin tingull, performancën, dëgjimin dhe eksperimentimin kolektiv.
“Prison Radio” është festival ndërkombëtar i radios dhe artit të tingullit, që bashkon artistë, muzikantë, krijues të radios, performuesë dhe profesionistë të kulturës nga Kosova dhe më gjerë.
Përgjatë katër ditëve, festivali eksploron burgun si hapësirë fizike, por edhe si pikënisje për të menduar e diskutuar mbi izolimin, represionin politik, kujtesën, rezistencën, lirinë e solidaritetin, gjithashtu edhe mbi mënyrat se si zërat, tingujt dhe idetë mund të kapërcejnë mure.
Programi përfshin: sesione radiofonike live, intervenime të artit radiofonik dhe të tingullit, koncerte, shëtitje dëgjimore e sound-performanca, ekspozita, ligjërata e biseda me artistë, masterklasa, aktivitete me komunitetin, si dhe në mbrëmje sesione dëgjimi me program muzikor.
Pika qendrore e festivalit është Prison × Radio Live, një program radiofonik 72-orësh në format të radios live, që shpaloset çdo ditë nga ora 12:00, në bashkëpunim me Lumpen Station (CH), duke përfshirë: transmetime, performanca të artit radiofonik, intervista, biseda, koncerte, studio të hapura dhe instalime zanore, të cilat hartohen në Studio Burgu në Burgun e Idealit dhe në Studio Hani në Hanin e 2 Robertëve. /Klankosova.tv