Lajmet e fundit

Premier League ka publikuar deklaratën e saj të parë zyrtare, duke konfirmuar se një Komision i Pavarur e ka shpallur fajtor klubin e Manchester Cityt për pjesën dërrmuese të 115 akuzave që lidhen me shkelje të rënda të rregullave financiare dhe mosbashkëpunim me organet hetuese.
Pas raportimeve të fundit në mediat ndërkombëtare, elita e futbollit anglez ka zbardhur zyrtarisht vendimin e komisionit, duke saktësuar se shkeljet mbulojnë një periudhë nëntëvjeçare (nga sezoni 2008/09 deri në sezonin 2017/18), ndërsa ka dhënë detaje edhe për procedurën e sanksioneve dhe apelimit, transmeton Klankosova.tv.
Sipas gjetjeve të Komisionit të Pavarur, mes sezoneve 2009/10 dhe 2017/18, Manchester City kishte orkestruar marrëveshje fiktive komerciale me partnerë dhe sponsorë të ndryshëm, të cilët paguanin vetëm një pjesë të faturave, ndërsa diferenca mbulohej fshehurazi nga pronarët e klubit përmes kompanisë Abu Dhabi United Group (ADUG).
Po ashtu, u konstatua përfshirja e marrëveshjeve fiktive rrethore me entitetin „Fordham“ lidhur me të drejtat e imazhit të futbollistëve.
Si pasojë e këtyre manipulimeve, komisioni vlerësoi se në rast të raportimit real të llogarive, Manchester City do të kishte tejkaluar në masë të madhe kufijtë e shpenzimeve të përcaktuara nga rregullat e Premierligës për Rentabilitetin dhe Qëndrueshmërinë (PSR), si dhe ato të Fair Play-it Financiar (FFP) nga UEFA.
Përveç manipulimeve financiare, komisioni e shpalli klubin fajtor edhe për shumicën e akuzave që kishin të bënin me procesin hetimor (u vërtetuan tri nga katër shkeljet e pretenduara).
Në deklaratë evidentohet se përgjatë hetimit katërvjeçar të nisur nga Premierliga, Manchester City kishte bërë “përpjekje të koordinuara për të ndaluar dhe penguar hetimin“, duke shkelur detyrimin për bashkëpunim dhe mirëbesim me ligën.
Nga Bordi i Premierligës nënvizuan se synimi është që i gjithë procesi, përfshirë ankesat e mundshme dhe publikimin e vendimeve të plota bashkë me shtojcat e tyre, të përmbyllet sa më shpejt që të jetë e mundur.