Lajmet e fundit

Kryetari i Fushë Kosovës, Valon Prebreza, ka bërë të ditur se do ta lirojë nga detyra Drejtorin e Pronës së kësaj komune, Gëzim Zogiani, i cili është arrestuar të martën së bashku me katër zyrtarë të tjerë të komunës, nën dyshimet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, në kuadër të një hetimi lidhur me një pronë prej rreth dy hektarësh në Sllatinë, e cila dyshohet se është tentuar të tjetërsohet dhe të shitet për 1 milion e 550 mijë euro.
Prebreza tha se vendimi do të merret menjëherë pas kthimit të tij nga udhëtimi zyrtar dhe do të vlejë deri në sqarimin e plotë të rastit nga organet e drejtësisë.
“Të martën, në një aksion të organeve të drejtësisë, janë arrestuar pesë zyrtarë të Komunës së Fushë Kosovës, në mesin e tyre edhe Drejtori i Pronës, z. Gëzim Zogiani.
Meqenëse që nga dita e martë ndodhem në udhëtim zyrtar, dua t'ju njoftoj se menjëherë pas kthimit tim do ta liroj nga detyra Drejtorin e Pronës, deri në sqarimin e plotë të kësaj çështjeje nga organet e drejtësisë. Qytetarëve të Fushë Kosovës ua kam dhënë fjalën për një qeverisje ndryshe dhe asnjë emër, pozitë apo interes nuk do të jetë më i rëndësishëm se kjo fjalë”, shkroi ai në Facebook, raporton Klankosova.tv.
Ai theksoi se nuk do të ketë mbrojtje politike për askënd dhe se Komuna do të bashkëpunojë plotësisht me Prokurorinë dhe institucionet e drejtësisë.
“Komuna e Fushë Kosovës do t'i hapë dyert për Prokurorinë dhe çdo organ tjetër të drejtësisë dhe do të ofrojë bashkëpunim të plotë për çdo hetim. Kushdo që ka shkelur ligjin, kushdo që ka keqpërdorur pozitën apo besimin e qytetarëve, duhet të mbajë përgjegjësi - pa dallim emri, pozite apo përkatësie. Ne kemi marrë besimin e qytetarëve për ta ndryshuar mënyrën se si qeveriset Fushë Kosova. Dhe këtë besim nuk do ta negociojmë me askënd”, shkroi mes tjerash Prebreza./Klankosova.tv