Lajmet e fundit

Kapiteni i Zvicrës, futbollisti shqiptar Granit Xhaka pritet të dënohet, për shkak të falsifikimit të certifikatës së vaksinimit të Covid-19, ndërsa nuk është ftuar në grumbullimin e kombëtares.
Por çka nëse krejt kjo është një mënyrë për të dënuar qëndrimin e tij publik për ish-krerët e UÇK-së tashmë të dënuar, ka qenë pyetja që ka qarkulluar gjithandej në rrjet, transmeton Klankosova.tv.
Në anën tjetër, një doktoreshë ka pranuar publikisht se e ka vaksinuar futbollistin me prejardhje shqiptare.
Në emisionin “Kosova Today”, drejtori i sportit në Artmotion, Arlind Sadiku e ka quajt këtë çështje si paradoksale.
“Çuditërisht momenti kur erdhi,u përputh me reagimin e Xhakës që e pati pasi u dënuan krerët e UÇK-së në Hagë. Krejt ky momentum të jep dyshimet se diçka ka ndodhur, ka prapavijë politike. Granit Xhaka është lojtari me më së shumti paraqitje në historinë e Zvicrës, është një lojtar që ka kontribuuar jashtëzakonisht shumë për Zvicrën, ai asnjëherë nuk e ka mohuar që është shqiptar, pavarësisht se kjo iu ka penguar krerëve të Federatës së Zvicrës. U ka penguar edhe popullit zviceran, sidomos mediave, dhe tash mbetet të shihet se çfarë do të ndodhë në vazhdim”, tha Sadiku në Klan Kosova.
Ndër të tjera, Sadiku bëri të ditur se një sportist tjetër i Zvicrës është dënuar për falsifikim të testit të Covid-it.
Nga ana tjetër, gazetari Nefail Maliqi, në Klan Kosova tha se çështja e Xhakës është thjesht një procedurë ligjore.
“Por këtu dikush është duke rrejtur, nuk besoj se Xhaka është duke gënjyer, e as shteti zviceran sepse është shtet serioz, por mund të jetë një manipulim, apo kush qëndron pas kësaj mjekje”, tha Maliqi.
Ai shtoi se mbështetja e Xhakës ndaj çlirimtarëve nuk mund të jenë indikatorë për çështjen ligjore të tij.
Ndërkohë, aktivistja Besa Mahmuti u rikthye pas në kohë, kur në vitin 2021 Xhaka nuk kishte marrë pjesë në një ndeshje për shkak se pretendohej se ka qenë i infektuar me virus.
Ajo pos tjerash tha se futbollistët e Kombëtares nuk e kanë pasur detyrim të vaksinohen.