10:14, 9 Mars 2020

I akuzuari për vjedhje të pyllit, Naim Zeqiraj, është dënuar me tre muaj burg, por ky dënim i është zëvendësuar me punë në dobi të përgjithshme prej 100 orësh në total.

Aktgjykimin ndaj të akuzuarit Zeqiraj, e ka shpallur gjykatësi Gani Rugova, në seancën e së hënës në Gjykatën Themelore në Pejë, dega në Istog, pasi që paraprakisht i akuzuari është deklaruar fajtor lidhur me veprën penale e cila i bie në barrë, shkruan Betimipërdrejtësi, transmeton Klan Kosova.

“Unë nuk kam kushte të mira ekonomike. Drutë i kam pas për nevojat personale ngase nuk po kam ka t’ia mbaj. Jam mbajtës i vetëm i familjes prej pesë anëtarësh”, ka thënë ai.

Ndërkaq, prokurorja Suada Hamza tha se i propozon gjykatës që ndaj të akuzuarit të ketë parasysh si rrethanë lehtësuese pranimin e fajësisë, në rastin e marrjes së vendimit mbi dënueshmerinë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, aktakuza e Prokurorisë Themelore në Pejë, e ngritur më 26 dhjetor 2019, e ngarkon të akuzuarin Naim Zeqiraj, me veprën penale “vjedhje pylli”, nga neni 349 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Në aktakuzë thuhet se i pandehuri më 22 gusht 2019, rreth orës 23:40, në pyllin kombëtar, në vendin e quajtur “Jerebi”, rajoni ekonomiko-pyjor “Jerebi”, i cili administrohet nga Drejtoria për Bujqësi, Pylltari dhe Hidroekonomi, zyra në Istog, me qëllim të vjedhjes, me sharrë motorike ka prerë 4 copë trungje të llojit të “Breut”,  me vëllim të përgjithshëm prej 4.11 metra kub.

Prokuroria pretendon se i pandehuri pas prerjes, trungjet i ka ngarkuar në traktor, duke bërë që të dëmtuarës DBPH, t’i shkakton dëm material në vlerë prej 623 euro.

klankosova.tv

Konkurs Pune

Lexo më shumë