Lajmet e fundit

Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar lidhur me rastin e Lirim Mehmetaj, pas raportimeve për përfshirjen e Gani Gecit, pas një postimi të gazetarit për Fatos Gecin.
Përmes një postimi në Facebook, Çitaku ka theksuar se, ndonëse nuk pajtohet gjithmonë me qëndrimet e Mehmetajt, mospajtimet siç tha ajo, janë pjesë e një shoqërie demokratike.
“Lirim Mehmetaj më ka kundërshtuar me emër e mbiemër, jo një herë, por shumë herë. Nuk pajtohem me të, as me debatin e sontëm. Por kjo është krejt normale në një shoqëri demokratike. Nuk kemi pse të pajtohemi për gjithçka, as të mendojmë njësoj”.
“Por t’i vërsulemi Lirimit për deklaratat e tij publike dhe të kërkojmë që ai të japë “besë” apo “mirëbesim” sipas kanunit, është anti demokratike, antikushtetuese dhe çnjerëzore. Liria e shprehjes nuk kushtëzohet nga leja e askujt, e aq më pak nga një gjykim sipas kanunit”, shkroi ajo.
Ajo i është drejtuar Gani Gecit, duke i thënë se nuk marrin leje prej tij për ta mbrojtur UÇK-në.
“Gani Geci, po ta them qartë: nuk marrim leje prej teje, kurrë, për ta mbrojtur UÇK-në dhe luftëtarët tanë në Hagë. UÇK-ja është histori e popullit tonë. Luftëtarët tanë nuk janë pronë e askujt. Mbrojtja e tyre nuk kërkon lejen e askujt dhe as nuk mund të vihet nën kontrollin e askujt”.
“Mund të kemi mospajtime politike, mund të debatojmë e të kundërshtojmë njëri-tjetrin. Por askush nuk ka të drejtë të vendosë se kush guxon të flasë, kush guxon të mbrojë UÇK-në dhe kush duhet të heshtë. Boll ma”, ka shkruar Çitaku./Klankosova.tv