Polonia anulon koncertet e Roger Waters, kjo është arsyeja NULL NULL 25.09.2022 23:55 25.09.2022 23:55 Koncertet e planifikuara në Poloni nga bashkëthemeluesi i rok grupit, Pink Floyd, Roger Waters, janë anuluar si shenjë revolte ndaj qëndrimit të muzikantit rreth luftës në Ukrainë. Debati u shkaktua nga një letër e hapur që Waters i shkroi zonjës së parë të Ukrainës, Olena Zelenska, brenda të cilës ai kishte hedhur akuza në drejtim të bashkëshortit të saj, presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky. Ai akuzoi presidentin ukrainas për dështimin e përmbushjes së premtimeve të fushatës zgjedhore për të sjellë paqe në rajonin e Donbasit dhe nuk e ka përmendur përgjegjësinë e Rusisë për luftën, shkruan BBC, transmeton KlanKosova.tv. Nuk vonoi shumë dhe Zelenska bëri një postim Twitter si kundërpërgjigje për Waters, ku tha se “ishte Rusia ajo që pushtoi Ukrainën dhe tani po shkatërronte qytetet e saj e po vriste civilë”. “Roger Waters, duhet të kërkosh paqe nga presidenti i një vendi tjetër”, ka shkruar ajo mes tjerash. Letra e hapur e Water bëri që Lukasz Wantuch, një këshilltar i qytetit të Krakovit, t’i nxiste njerëzit të bojkotojnë koncertet. Po ashtu, këshilltarët bashkiakë kanë hartuar një rezolutë për ta shpallur zotin Waters persona non grata, që do të votohet në një seancë më 28 shtator. “Duke marrë parasysh sulmin kriminal të Rusisë ndaj Ukrainës si dhe numrin në rritje të krimeve të luftës të kryera nga ushtarët rusë që po dalin në dritë, këshilltarët shprehin zemërim për tezat dhe deklaratat e bëra nga Roger Waters në lidhje me pushtimin rus të Ukrainë”, thuhet në rezolutë. Qeveria polake ka qenë një aleat i vendosur i Zelenskyt dhe ka dërguar qindra tanke dhe armatime të tjera të epokës sovjetike në Ukrainë, gjithashtu ka inkurajuar edhe Bashkimin Evropian të vendosë sanksione më të ashpra kundër Rusisë. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.