Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Politika i tjetërson shkrimtarët

NULL NULL
10.05.2015 17:24

“Duart e mia/ hapin perdet e qenies tënde/të veshin me një tjetër lakuriqësi/ zbulojnë trupat e trupit tënd. Duart e mia/i shpikin një trup tjetër trupit tënd…”.

Oktavio Paz duhet ta ketë shkruar këtë poezi ardhur në shqip nën përkthimin e Mira Meksit, në vitin 1938. Pasi kishte prekur shkëlqimin e Parisit, shëtitur Europën dhe ndier kafenetë e fshehta ku mbrëmjeve dukej sikur zbriste letërsia, ai rikthehet në Meksikë, për t’iu përkushtuar karrierës së tij letrare.

Në kafenenë poshtë revistës “Taller” ai kalonte orë të tëra për të pritur një grua. Ishte Elena Garro, kryeredaktore e revistës dhe shkrimtare e njohur meksikane, me të cilën Paz kishte nisur një histori dashurie. Flokët e saj ishin të bronztë, ndërsa buzëqeshja i kujtonte se nuk duhej të largohej asnjëherë prej saj.

Paz dhe Garro do të ndanin bashkë jo vetëm pasionin e dashurisë, por dhe do të ishin frymëzues për krijimtarinë e njëri-tjetrit. Në një rrëfim të bërë kohë më pas, Paz do të pranonte se poezia e tij kishte pasur nuanca dashurie vetëm gjatë kohës kur ishte me Elenën. “Tek ajo përzihej femra dhe letërsia, që dilnin lehtë prej meje e ktheheshin në vargje”, shprehej ai.

“Lë fletoren dhe të shkruarën/gjithë qenia e saj është dy sy të ngulmët/ në mur drita shfuqizohet/ vështron fundin e saj apo vetëm lindjen/ ajo do të përgjigjet se nuk sheh asgjë/ është e tejdukshme pafundësia…Kurrë s’do e marrë vesh se çka parë”, shkruan Paz në poezinë “Çupka”.

Por dashuria asnjëherë nuk mjafton. Në vitin 1959, Paz dhe Garro divorcohen. Pas kësaj ndarjeje poeti udhëton për në Kaliforni, ku studion në Universitetin e këtij vendi. Pas kësaj periudhe ai përfshihet në shërbimin diplomatik, fillimisht në Nju Jork pastaj në Paris.

Oktavio-Paz1

 

Në vitin 1952, ai shkon në Azi, më pas udhëton në Zvicër për t’u kthyer sërish në Meksikë. “Ishte si një udhëtim drejt vetes, për ta gjetur gjithmonë në vendin e lindjes”, tregon ai. Gjatë kësaj periudhe një tjetër grua hyn në jetën e tij, Bona Tibertelli, një piktore italiane, e cila do ta shoqëronte dhe gjatë kohës që ai ishte ambasador në Indi.

Marrëdhënia mes tyre do të përfundonte më vitin 1963, dhe Paz do të martohej me një franceze të quajtur Marie-José Tramini, martesë e cila duket se do të kthejë paqen në shpirtin e poetit. Lidhja me Marie do të zgjaste deri në fund të jetës.

Oktavio Paz lindi në Meksikë më vitin 1914. Ai u nderua me çmimin “Servantes” në vitin 1981 dhe çmimin “Nobel” më 1990. Është një ndër shkrimtarët më të rëndësishëm të kohës. Vepra e tij poetike është përmbledhur në volumin “Poema” (1935-1975) dhe “Pemë në brendësi”. Jo më pak e rëndësishme është dhe vepra e tij eseiste.

Ai e konsideron të shkruarin si një punë të heshtur. “Nisa të shkruaj, punë e heshtur kjo veç të tjerave, përballë dhe kundër zhurmës së zënkave dhe përleshjeve të shekullit tonë. Shkrova dhe shkruaj sepse e konsideroj letërsinë si një dialog me botën”, thotë ai. Paz e konsideronte historinë e letërsisë moderne që nga romantikët gjermanë dhe anglezë e deri në ditët tona, një histori pasioni të gjatë e të mjerë për politikën.

“Nga Coleridge deri te Majakovski, revolucioni ka qenë Perëndia më e madhe, e dashura e përjetshme, dhe putana e madhe për poetët dhe romancierët. Politika e mbushi me tym trurin e Malraux-së, helmoi pagjumësinë e Cesarit, vrau Lorkën, braktisi Machadon në një fshat të Pirenjve e mbylli Poundin në një çmendinë, shndërroi Nerudën dhe Aragonin, bëri qesharak Sartrin dhe i dha tepër vonë të drejtë Bertonit…

Nuk mund ta mohojmë politikën, do ishte më keq se të pështynim me kokën sipër, do të na binte pështyma në kraharor”, shkruan Paz në një ese. Tepër të ndjera janë dhe tregimet e shkurtra të Paz, të cilat i lexon si një poezi. “Kur arrita në shtëpi, pikërisht në çastin kur po hapja derën, pashë veten time të dilte që andej. Kureshtar, vendosa ta ndjek pas…”,- nis ai tregimin “Takimi”, tronditës në vetëm dy faqe…

Por Paz sot kujtohet dhe për mesazhet që mbartin shkrimet e tij. “Që kur zbardh agu duhet t’i themi vetes: do të takohem me një të pasjellshëm, me një bukëshkalë, me një të pabesë. E njoh natyrën e ti,j është raca ime, jo nga gjaku i familjes, por ngaqë të dy kemi arsye dhe të dy jemi pjesëza të hyjnisë, kemi lindur për të bashkëpunuar si këmbët dhe duart, sytë dhe qepallat, radhët e dhëmbëve të poshtmit dhe të lartët…

Dialogu është një nga format ndoshta më të larta të simpatisë kozmike”, shkruan Paz. E ndërsa teoritë mbi shoqërinë, politikën dhe atë çfarë shoqëronte Meksikën e tij, vazhdojnë të jenë edhe sot si pamflete të rëndësishme ideologjike, në vargjet Paz është bërë i përjetshëm.

“Dy trupa ballë për ballë/ janë shpeshherë dy dallgë/ dhe nata është oqean/ dy trupa ballë për ballë/ janë dy trupa qiellorë që bien/ në një qiell të zbrazët…” Oktavio Paz vdiq nga kanceri më 19 prill 1988.

Shkruan: Alda Bardhyli

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.