Lajmet e fundit

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka angazhuar kapacitetet e saj për protestën e paralajmëruar sot në orën 21:00 në sheshin qendror të Prishtinës, në kundërshtim të aktgjykimit të Gjykatës Speciale në Hagë.
Policia thotë se pas protestave të qeta, disa pjesëmarrës kanë vazhduar lëvizjet me automjete nëpër kryeqytet, duke kryer, sipas saj, vozitje të rrezikshme dhe të pakontrolluara, transmeton Klankosova.tv.
Në komunikatë thuhet se ndërhyrjet policore kanë për qëllim parandalimin e shkeljeve në trafik dhe mbrojtjen e qytetarëve, përfshirë këmbësorët.
Policia ka mohuar gjithashtu pretendimet se qytetarët po ndalohen apo ndëshkohen për shkak të flamujve të UÇK-së apo simboleve kombëtare.
Policia u ka bërë thirrje qytetarëve dhe mediave që të bazohen vetëm në informacionet zyrtare dhe të shmangin përhapjen e pretendimeve të pakonfirmuara.