Lajmet e fundit

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka suspenduar nga puna tre zyrtarë policorë të dyshuar për një rast penal të ngacmimit dhe kontrollit të kundërligjshëm, sipas rekomandimit të Inspektoratit Policor të Kosovës.
Rasti ka të bëjë me një vajzë, e cila është ankuar në Polici për sjelljen e dyshimtë të tre zyrtarëve policorë, mbrëmjen e datës 15 tetor, raporton Klankosova.tv.
Policia tha se zyrtarët e dyshuar janë nga Stacioni Policor Jugu në Prishtinë.
Ky institucion tha se me të marrë ankesën për rastin, e ka njoftuar menjëherë sipas detyrës zyrtare Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK), duke u koordinuar për sigurimin dhe dokumentimin e të gjitha provave relevante, transmeton Klankosova.tv.
"Në kuadër të këtij bashkëpunimi institucional, Policia e Kosovës ka siguruar dhe i ka dorëzuar Inspektoratit Policor të Kosovës provat dhe informacionet e kërkuara për trajtimin e mëtejmë të rastit", tha PK-ja në njoftim.
Po ashtu, sipas PK-së, pala ankuese është udhëzuar që të paraqitet në IPK për të dhënë deklaratën e saj para njësisë së hetimeve.
"Pas shqyrtimit të informacioneve dhe provave të siguruara, Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin e tre zyrtarëve policor, në përputhje me kompetencat e tyre ligjore, të cilët menaxhmenti i Policisë së Kosovës i ka suspenduar", njoftoi më tej Policia.
Inspektorati i Policisë së Kosovës, sot gjatë ditës ka njoftuar në lidhje me dy raste ku zyrtarë policorë janë të dyshuar për vepra të ndryshme penale - njëri rast në Prishtinë, e tjetri në Gjilan.
Ndërsa gazetarja e Klan Kosovës, Altiana Zogaj, përmes burimeve të saja ka kuptuar se rasti është raportuar te autoritetet nga një e afërme e vajzës, viktimë e këtij rasti, pasi, gjithnjë sipas burimeve, të tre policët e dyshuar i kishin kërkuar asaj "marrëdhënie seksuale në grup".
Pas shqyrtimit të informacioneve dhe provave të siguruara, IPK-ja ka rekomanduar suspendimin e tre zyrtarëve policorë, rekomandim i cili është zbatuar menjëherë nga menaxhmenti i Policisë së Kosovës.
Kurse në njoftimin e PK-së theksohet gjithashtu se bashkëpunimi i ngushtë me IPK-në ka çuar në suspendim edhe për dy zyrtarë të tjerë policorë në Stacionin Policor në Gjilan. /Klankosova.tv