Lajmet e fundit

Policia e Kosovës ka kërkuar sërish bashkëpunimin e qytetarëve për gjetjen e Xhafer Raqit, i cili rezulton i zhdukur prej disa muajsh.
Përmes një kërkese për bashkëpunim, Policia ka bërë të ditur se që nga raportimi i zhdukjes janë ndërmarrë një sërë veprimesh për gjetjen e tij, në bashkëpunim me familjarët dhe organet e drejtësisë.
Sipas Policisë, janë intervistuar persona që mund të kenë informacione për vendndodhjen e tij, janë kontrolluar hyrje-daljet në pikat kufitare, si dhe janë kryer kërkime në zona që Raqi i kishte frekuentuar zakonisht.
Po ashtu, njësitet policore të hetimeve, Njësiti për Kërkim-Shpëtim i FSK-së dhe patrullat policore kanë analizuar çdo informacion që mund të lidhet me rastin.
“Edhe pse veprimet dhe kërkimet policore janë duke vazhduar, pas marrjes së autorizimit prej prokurorit të shtetit, nga ana juaj kërkojmë kontributin tuaj qytetar”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Policia u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që kanë çfarëdo informacioni lidhur me Xhafer Raqin që ta përcjellin atë në numrin 192 ose përmes emailit të Policisë së Kosovës./Klankosova.tv
