Lajmet e fundit

Policia e Kosovës ka dhënë detaje të reja lidhur me rastin e mashtrimit përmes qendrave ilegale të thirrjeve (Call Center) në Prishtinë, ku viktima dyshohet se ishin shtetas suedezë, të cilëve u janë ofruar investime në kriptovaluta.
Sipas raportit 24-orësh të Policisë, në këtë rast janë arrestuar nëntë persona, gjashtë shtetas kosovarë dhe tre shtetas gjermanë, të cilët dyshohet se kanë vepruar në bashkëpunim me njëri-tjetrin.
Ndërkaq, sipas Prokurorisë, rasti dyshohet të ketë ndodhur gjatë vitit 2026, në disa lokacione të ndryshme në Prishtinë. Të dyshuarit, duke vepruar si grup, dyshohet se përmes paraqitjes së rreme të fakteve i kanë bindur shtetasit suedezë të investojnë në kriptovaluta, përfshirë Bitcoin-in.
Sipas Policisë, pas kryerjes së investimeve, paratë e viktimave janë transferuar në llogari të tjera të panjohura, duke u shkaktuar atyre dëme të konsiderueshme materiale.
Bëhet e ditur se gjatë operacionit, policia ka kontrolluar katër lokacione, ku janë gjetur dhe konfiskuar 39 kompjuterë, pesë telefona celularë, 12 pajisje të jashtme për ruajtjen e të dhënave (HDD), një veturë, një armë me gjashtë fishekë, 850 euro dhe 100 franga zvicerane.
"Me vendim të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje", thuhet në raportin 24-orësh./Klankosova.tv