Podujevë: Suspendohet mjeku që s’e trajtoi pacientin e moshuar (VIDEO) NULL NULL 15.04.2021 22:50 15.04.2021 22:50 Mjeku Ibrahim Hoti është suspenduar nën dyshimin se i njëjti nuk i ka ofruar shërbime shëndetësore një të moshuari në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Podujevë. Këtë e ka konfirmuar Drejtori i Shëndetësisë në Podujevë, Driton Veliu, i cili ka shprehur keqardhje për këtë rast duke shtuar se kjo ngjarje nuk e zbeh punën dhe angazhimin e stafit shëndetësor. “Lidhur me këtë rast, Këshilli Drejtues i QKMF-së dhe pas analizës së këtij rasti, Këshilli kanë vendosur që mjeku të suspendohet përkohësisht nga marrëdhënia e punës deri në një vendim të ri të Komisionit Disiplinor. Duke shprehur keqardhje për këtë rast, jam i sigurt se kjo nuk e zbeh dhe nuk do të ndikojë në punën dhe angazhimin e stafit shëndetësor të QKMF në Podujevë në këtë periudhë pandemie në ofrimin e shërbimeve shëndetësore”. Ai, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se është i vetëdijshëm se personeli shëndetësor është lodhur nga situata me pandeminë COVID-19, por kjo nuk e arsyeton sjelljen e mjekut. “Një video që po qarkullon në rrjete sociale, ku shihet sjellja jo e mirë e një mjeku në QKMF në Podujevë ndaj një pacienti të moshuar, është e papranueshme dhe nuk përkon as me etikën profesionale. E kuptoj se personeli shëndetësor është lodhur e dërmuar nga situata që po kalojmë në ballafaqimin me COVID-19, kurse gjendjen e bën edhe më të rëndë mungesa e stafit mjekësor në QKMF, pas shkuarjes në specializim të 12 mjekëve. Mirëpo, tërë kjo nuk e arsyeton një sjellje të tillë të mjekut, aq më pak ndaj një pacienti të moshuar”. Klan Kosova është duke provuar ta kontaktojë mjekun Ibrahim Hoti për ta marrë edhe qëndrimin e tij lidhur me këtë ngjarje. Suspendimi i mjekut ka ardhur pas një videoje të publikuar nga portali IndeksOnline, e cila u shpërnda në rrjete sociale, ku shihet mjeku Ibrahim Hoti i cili me ton të ashpër refuzon ta trajtojë të moshuarin me arsyetimin se e ka përfunduar ndërrimin e tij të punës.