Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

“Po të mos ishte nëna, ndoshta s’do e zbuloja diabetin”: Rrëfimi i dy vajzave nga Peja, të prekura nga diabeti

NULL NULL
nga Bleona Thaqi 13.11.2024 16:45
diabeti peje
Në foto nga e majta: Ujëjeta Shatri, Idriz Ethemi dhe L.D

Diabeti është çrregullim i cili shkon përtej asaj që shohim dhe prek edhe të paprekshmet: mendjen e shpirtin.

Këtë më së miri e dëshmojnë dy rrëfime të dy vajzave nga Peja, të cilat ndonëse janë diagnostikuar me diabet në moshë të re, jeta e tyre thonë që ka ndryshuar për të mirë, ndonëse fillimet kishin qenë të zorshme e plot sfida, raporton emisioni Kiks Kosova.

“Dhuratë nga vet Zoti”, kështu thotë që është për të diabeti, 22 vjeçarja Ujëjeta Shatri.

Përballja e vazhdueshme me të, tash e 17 vjet, për Shatrin nuk ishte e lehtë, megjithatë sipas saj, nëna kishte qenë forca më e madhe për të.

“Deri në moshën 5-vjeçare nuk kam pasur ndonjë komplikim apo diçka të tillë, por pas një kohe, mami i ka parë disa simptoma dhe kur e ka pa që diçka nuk është edhe shumë në rregull, kemi shku në spitalin e Pejës dhe jemi kontrollu. Nëna ime ka qenë ajo gruaja e cila, domethënë pak a shumë, dhe i ka zbulu këto simptoma dhe ndoshta nëse s’e kisha pasë atë, nuk e kishin ditë edhe çka kom”, thotë Shatri, e cila ishte vetëm 5 vjeçe kur për herë të parë zbuloi që diabeti do ishte tashmë pjesë e pandashme e jetës së saj.

Shatri thotë që për shokët e shoqet e saj gjatë studimeve, ajo kishte qenë shembull në të cilën ata mund të eksploronin më shumë rreth diabetit.

“Nga fillorja deri tani, unë kam qenë si një farë lloj shtylle, në të cilën ata kanë mujt me eksploru dhe kanë mujt me mësu më shumë për këtë çrregullim. Gjithmonë kam qenë edhe e suportume, kanë thënë: Ujëjeta, ke nevojë për diçka, nëse të ka rënë sheqeri me të marrë diçka ëmbël? Ata gjithmonë kanë qenë të hapur për me eksploru, me ditë më shumë”, shton tutje 22 vjeçarja.

Histori tjetër, por me po të njëjtin çrregullim, është edhe rrëfimi i 20 vjeçares, L.D nga Peja, e cila në moshën 17 vjeçare zbuloi që trupi saj nuk prodhonte mjaftueshëm insulinë dhe kësisoj është e prekur nga diabeti.

Ndonëse këtë e kuptoi gjatë shkollës së mesme, megjithatë trauma psikike ishte e madhe dhe nganjëherë dhe një fakt i papranueshëm për të.

“Nuk e kom ditë kur mu ka bo, ndoshta ia ka nisë edhe më herët, po i kam pasë disa simptoma që prindtë e kanë vërejtë që diçka nuk është t’u shku mirë. Për mu fillimi ka qenë i vështirë, si çdo fëmijë që nuk di qysh me reagu sepse është ai mendimi çka duhet me bo tash ose qysh duhet me reagu unë në këto situata që ka m’u përballë”.

Ky ishte edhe shqetësimi më i madh i 20 vjeçares në kohën kur kuptoi që trupi saj kishte problem me prodhimin e insulinës.

Ndonëse për L.D ende ka paragjykime ngase i duhet shpeshherë të marrë insulinën në publik, megjithatë ajo thotë ka filluar të pajtohet me faktin që diabeti tashmë është pjesë e trupit të saj dhe duhet mësuar të jetuarit me të.

“Për mua kjo nuk është që më bën m’u ndi më veçantë se sa të tjerët, unë jam e njëjtë me krejt njerëzit. Është diçka e jemja, është pjesë e jemja. Në shkollë u kon një herë paragjykim në fillim, se çka është t’u bo kjo, se çka është t’u marrë kjo. Por mu, prej që m’u ka shfaq diabeti, unë jam shumë e disiplinume, kam aktivitete që bëj gjatë gjithë kohës, jam në punë, me studime dhe ton kohën nuk është që më rri mendja aty te diabeti”, thotë ndër të tjera ajo.

Të dy vajzat, përveç historisë dhe situatave pothuajse të njëjta që kanë kaluar, i bashkon edhe diçka tjetër: dëshira dhe vullneti për të kontribuuar në shoqëri për vetëdijesimin rreth diabetit.

Kësisoj, 22 dhe 20 vjeçarja janë pjesë e Shoqatës së të Prekurve nga Diabeti në Pejë.

Kjo shoqatë, e cila është funksionale që nga viti 2010, numëron rreth 220 anëtarë, ndonëse jo të gjithë janë aktivë.

I pari i këtij grupi, Idriz Ethemi, thotë që statistikat e të prekurve nga diabeti janë në rritje dhe ato vërehen qartë.

Madje sipas tij, dukuri negative me të cilën janë përballë është edhe bullizmi te fëmijët me diabet nëpër shkolla.

“Kur ia kemi fillu jemi kanë rreth 1680 anëtarë të cilët janë kanë të prekur nga diabeti, i kemi pasë 48 fëmijë, tash numrat kanë ndryshu fatkeqësisht për të keq, se kanë shku diku deri 2500-2600 pacientë të rritur, derisa fëmijë i kemi përmbi 80. Kemi pasë edhe shumë probleme me bullizëm nëpër shkolla të cilat i kemi marrë pak ma me seriozitet dhe kemi bisedu edhe me drejtoratin e Arsimit”.

Por, si qëndrojnë statistikat e pacientëve të prekur me diabet në krejt Kosovën?

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, bazuar në të dhënat nga Analiza e gjendjes shëndetësore të popullatës dhe sistemit shëndetësor, në vendin tonë, gjatë vitit 2022 janë regjistruar 7302 raste të Diabetit të pavarur nga insulina (Diabeti Tip 2), prej të cilave 2827 raste i përkisnin gjinisë mashkullore dhe 4475 raste gjinisë femërore.

Ndërsa, rastet e regjistruara të Diabetit të varur nga insulina (Diabeti Tip 1) kanë arritur në 2455, 1011 prej të cilave janë gjini mashkullore dhe 1444 raste të gjinisë femërore.

Sipas kësaj ministrie, analiza e radhës do të përfshijë të dhënat nga viti 2023.

Tutje, nga Ministria e Shëndetësisë thonë se ka mjaftueshëm insulina në stok dhe po ashtu ka edhe kontratë valide për insulina edhe për dy vitet e ardhshme për furnizim.

Ndërsa, shifrat globale tregojnë gjithashtu një rritje të të prekurve nga diabeti.

Sipas Federatës Ndërkombëtare të Diabetit (IDF), në 2021 u raportua se 10.5% e popullsisë ndërmjet 20 dhe 79 vjeç janë të prekur nga diabeti, gjysma e të cilëve nuk janë në dijeni që e kanë.

Deri në vitin 2045, sipas kësaj federate, 1 në 8 të rritur, do të thotë afërsisht 783 milionë njerëz, do të jetojnë me diabet, rritje kjo prej 46%.

Por a mund të shërohet plotësisht diabeti?

Sipas Qendrës për Shërbime të Kujdesit Shëndetësor, UCLA Health, nuk ka kurë për diabetin dhe asnjë mënyrë për ta hequr qafe atë.

Megjithatë, në rrjetin social Facebook një ilaç po shitet për gjoja shërimin e diabetit. Gazetarja e Kiks Kosovës, që e zbuloi këtë mashtrim, e infiltruar si një qytetare që është e interesuar për këtë ilaç, kërkoi më shumë informata rreth produktit.

Pavarësisht insistimit për të ditur përmbajtjen e ilaçit, faqja në Facebook tregoi vetëm që ka përbërje bimore të Bjeshkëve të Nemuna, por asgjë më shumë.

Çka është diabeti?

Diabeti është një gjendje shëndetësore e cila shfaqet ose është e lindur në ato raste kur pankreasi nuk prodhon mjaftueshëm insulinë apo fare dhe ndahet në mbi 5 tipa, por më të zakonshmit janë diabeti i tipit 1 që është i varur nga insulina, diabeti i tipit 2 i pavarur nga insulina, dhe diabeti gestacional që shfaqet gjatë shtatzënisë. /Klankosova.tv

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.