Lajmet e fundit

Orët mësimore ndonjëherë janë sfiduese edhe për vetë arsimtarin e Edukatës Qytetare, Florim Shabani.
Ai tregon se shpesh i duhet të shpjegojë të njëjtën gjë disa herë, sepse nxënësit nuk e kuptojnë menjëherë.
Ajo që e ka vërejtur me shqetësim është se komunikimi mes tyre gjatë orës shpesh ndodh në gjuhën angleze edhe kur pyesin njëri-tjetrin për sqarime të leksionit.
Madje, sipas arsimtarit të shkollës fillore “Emin Duraku” në Prishtinë, disa prej tyre e kanë më të lehtë të japin përgjigje në anglisht sesa në shqip.
Sipas Shabanit, të shprehurit në gjuhën që konsiderohet si e para e botës moderne është shndërruar në një trend në rritje.
Ai, që është edhe sociolog me profesion, vëren se gjithnjë e më shumë po zhvillohet një formë subkulture, duke i përzier dy gjuhë në të njëjtën fjali apo bisedë, si dhe deformimi apo përdorimi mbrapsht i fjalëve të shqipes.
Fenomenin e përdorimit të anglishtes në vend të shqipes e ka vërejtur edhe Lumnije Çitaku, drejtoreshë e çerdhes “Ardhmëria” në Prishtinë.
Ajo punon me fëmijë të moshës parashkollore dhe thotë se shpesh fëmijët 4-5-vjeçar shprehen me fjalë të huaja, të mësuara kryesisht nga YouTube dhe platformat digjitale.
“Për shembull, në vend të ‘ma jep’, thonë ‘give me’, ose në vend të ‘shiko’, thonë ‘look’”.
Sipas saj, fakti që edukatoret flasin edhe gjuhë të tjera ndihmon në përballimin më të lehtë të këtij fenomeni.
Megjithatë, Çitaku që ka mbi dy dekada që i shërben arsimit, thekson se kjo dukuri është vërejtur më së shumti pas pandemisë, diçka që nuk ndodhte më herët.
Në disa raste tregon se fëmijët kanë folur flisnin vetëm anglisht dhe asnjë fjalë shqip.
Megjithatë, sipas saj edukatoret kanë insistuar që t’u përgjigjen vetëm në gjuhën amtare, për të inkurajuar përdorimin e saj.