Pjetër Bogdani, i pari i Çetës së profetëve - Klan Kosova

Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Pjetër Bogdani, i pari i Çetës së profetëve

NULL NULL
08/08/2015

Gjergj Kastrioti, Pjetër Bogdani dhe Gjergj Fishta, janë tri figura themeltare të kulturës dhe historisë shqiptare që nuk kanë varre. E këto figura, s’janë dosido figura. Ata, me veprën dhe veprimtarinë e tyre, u ngjajnë apostujve dhe misionarëve. Ndonëse jetuan në periudha të ndryshme kohore, i ndërlidh fati i tyre i pasvdekjes- mungesa e varreve. Dhe si të tilla, përbëjnë tri shtylla qendrore që e mbajnë lartë ngrehinën kulturore e identitetin europian të shqiptarëve.

Ismail Kadare, te eseu monumental “Mosmarrëveshja” dhe te tregimi “Raporti i fshehtë” e trajton këtë çështje, duke tërhequr një paralele domethënëse, mes mungesës së varrit të heroit tonë kombëtar dhe atij të Jezu Krishtit. Kadare e përforcon filozofinë e tij sidomos te tregimi në fjalë, nëpërmjet frazës: Zbrazëtia e varrit dëshmon shenjtërinë.”

Një shenjtëri të tillë e dëshmon edhe jeta dhe vepra Pjetër Bogdanit (1630-1689). Ky shkrimtar i shquar nga njohës të veprës së tij është vlerësuar si korife i shkencës dhe arteve shqiptare.

Në fakt, te mungesa  e varreve qëndron analogjia filozofike e influencës që kanë ushtruar këto figura në jetën shpirtërore e kulturore të shqiptarëve. E dimë se krishterimi si fe, është ngritur mu në saje të mungesës së varrit të Krishtit, pra ai qëndron te ngjallja e tij. E në kulturën shqiptare, zhvarrimi i Gjergj Fishtës e sforcon mitin e martirizimit të krijuesve shqiptarë, të ngjashëm me Pjetër Bogdanin-shkruan Sabri Hamiti.

Te tri figurat e lartpërmendura, përbëjnë boshtin qendror të kulturës e identitetit shqiptar.

Në jetën e një kombi, të rralla janë ato figura të cilave u bie barra e rëndë, të kenë njëkohësisht role të shumëfishta: të jenë prijës politikë, ushtarakë, religjiozë e kulturorë. Pjetër Bogdani ynë, i traditës së Hasit, për të cilën fliste Dhimitër S. Shuteriqi e studiues të tjerë, nga elteri ku predikonte dashurinë dhe mirësinë kristiane, iu desh  të ngjitej në male dhe të zbriste në fusha, për t’i bashkuar shqiptarët në një kryengritje të armatosur kundër pushtimit osman që dvarte gjuhë e kulturë. Misionari në aksion, s’mund të ndalej me kaq. Ai përshkoi qytete e vende, për të kërkuar dije e kulturë. U bë doktor i parë i filozofisë dhe teologjisë ndër shqiptar. Mësoi për artin e kulturën, për poezinë e filozofinë, për historinë e shumë dije tjera në Itali, dhe kështu përftoi kulturë e dije, të cilat do t’i manifestoi te libri monumental, Çetën e profetëve, një vepër misionare e shëlbuese dhe do të influencojë kulturën shqiptare që nga botimi i parë me 1685 e gjer në ditët tona. Shëmbëllimin e figurës së Bogdanit e gjejmë të mishëruar te njeriu i shekullit  tonë, Ibrahim Rugova. Ky i fundit, si erudit i shkëlqyer, njohës dhe studiues i veprës së Bogdanit, nga libri do të kalonte në aksion, për të shpalosur identitetin kulturor e shpirtëror të shqiptarëve dhe për t’i udhëhequr ata drejt lirisë e pavarësisë. Rugova, mësues e udhërrëfyes pati Bogdanin. I tillë është fati i kryeveprave të mëdha të njerëzimit, që frymëzojnë pareshtur kulturën dhe qytetërimin.  E tillë është Çeta e Bogdanit.

Pjetër Bogdani, siç shkruan në parathënie të librit, ishte prej Gurit të Hasit të Prizrenit, ku para tij ishte ngjizur një kulturë e shkrimit dhe e rezistencës kundër turqve. Të dhënat biografike, tregojnë se nga sëmundja nuk arriti ta realizonte përpjekjen me Pikolominin për të organizuar betejën kundër osmaneve, sepse ushtria e gjeneralit austriak niset në drejtim të Shkupit, po nuk mund të hyjë në qytet, sepse e kishte marrë epidemia e murtajës, prandaj e djeg qytetin dhe kthehet prapë në Prishtinë. Në këtë kohë, Bogdani ia siguron ushtrisë së Pikolominit 6000 shqiptarë dhe bashkë me të niset për në Prizren, ku shpartallohet ushtria e Pikolominit nga sëmundja e murtajës dhe forcat turke. Me të arritur në Prizren, Bogdani sëmurët nga murtaja dhe vdes më 6 dhjetor të vitit 1689, në Prishtinë. Pas vdekjes, siç njofton nipi Gjergj Bogdani, turqit dhe tatarët trupin e tij e kanë nxjerrë nga varri dhe ua kanë hedhur qeneve në mes të piacës së Prishtinës. Këtu mbaron veprimtaria e tij tragjike dhe fillon jetën vepra e tij kulturore, si zgjatim i frymës së tij, i kujtesës dhe identitetit shëlbues që la si testament të përhershëm për ne.  Më këtë akt, tatarët tentuan ta zhduknin filozofinë bogdaniane, mirëpo ajo triumfoi dhe i qëndroi stoikisht kohës së mëvonshme, kur persekutimet dhe kalvari i shqiptarëve veçsa u thellua. Megjithatë, Çeta e tij, si kulturë e ideologji s’u ndal. Ajo marshoi deri në ditët tona. U mishërua te dishepulli i ideve dhe idealeve të tij, Ibrahim Rugova, i cili, ashtu si Bogdani u shkëputë nga jeta, pa e finalizuar misionin e tij. Një shëmbëllim që na shtytë të përsiasim dhe meditojmë.

Ndue Ukaj*

Shkrimin e plotë mund ta lexoni këtu:

http://www.mapo.al/2015/08/pjeter-bogdani-i-pari-i-cetes-se-profeteve