Pesë ushtarë amerikanë vdesin në një aksident ajror në Mesdhe NULL NULL 13.11.2023 08:46 13.11.2023 08:46 Të dielën u njoftua se pesë pjesëtarë të ushtrisë amerikane kanë vdekur, kur një helikopter ushtarak u rrëzua në pjesën lindore të Detit Mesdhe gjatë një misioni stërvitor. Kjo u bë e ditur nga zyrtarët amerikanë. Komanda amerikane deklaroi se të pesë anëtarët e ekuipazhit vdiqën kur helikopteri i tyre u rrëzua “gjatë një misioni rutinë të furnizimit me karburant në fluturim, si pjesë e trajnimit ushtarak”. Ushtria e bëri njoftimin e parë rreth aksidentit të shtunën duke thënë se shkaku po hetohej dhe se nuk ka të dhëna për ndonjë veprim nga palët kundërshtare. Komanda njoftoi të dielën se “përpjekjet e kërkim-shpëtimit filluan menjëherë, duke angazhuar anije dhe aeroplanë ushtarakë që ndodheshin aty pranë. Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, përmes një deklaratë shprehu ngushëllimet, për humbjen tragjike të pesë ushtarakëve amerikanë gjatë një aksidenti stërvitor në Detin Mesdhe mëngjesin e së shtunës. Forcat Ajrore amerikane kanë dërguar skuadrilje shtesë në rajon dhe aeroplanmbajtësja “USS Gerald R. Ford”, e cila ka një sërë avionësh në bord, ka operuar gjithashtu në Mesdheun lindor.