17:15, 11 Shtator 2019

Kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës, Migjen Kelmendi, ka përkujtuar viktimat nga sulmet terroriste të 11 Shtatorit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kelmendi ka përkujtuar edhe atentatin dhe vrasjen e ish-ministres së Jashtme suedeze, Ann Lindh, me 11 Shtator të vitit 2003, nga ekstreminsti serb, Mijailo Mijailovic.

Postimi i plotë:

Sot mbushen 18 vjet nga kryerja e sulmeve terroriste të vitit 2001 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky nuk ishte vetëm një sulm ndaj aleatit tonë ma të fuqishëm e ma të afërt, por ndaj gjithë botës së qytetruar demokratike.

Kosova sot qëndron e angazhuar me krenari në koalicionin global kundër terrorizmit të drejtuar nga SHBA.

Mirëpo, duhet kujtuar se 11 Shtatori nuk është vetëm dita e dhimbshme e sulmeve terroriste të vitit 2001, por edhe i aktit terrorist të vitit 2003 ndaj ministrës së Jashtme suedeze Ann Lindh. Ajo vdiq me 11 Shtator 2003, e sulmuar nga një ekstremist serb, Mijailo Mijailović, për shkak të përkrahjes së hapun që ajo i kishte dhanë NATO-s gjatë luftës në Kosovë.

Prandaj ne nuk duhet ta marrim lirinë dhe pavarësinë që gëzojmë sot si të mirëqenë, por duhet të jemi thellësisht mirënjohës ndaj ndihmës së jashtëzakonshme që perëndimi na ka dhënë.

Dhe mënyra ma e mirë me anë të së cilës mund ta shprehim mirënjohjen është angazhimi ynë për të promovuar edhe më shumë vlera si liberalizmi, pluralizmi, dialogu ndër-etnik dhe bashkëjetesa ndër-fetare, të cilat janë kura ma e mirë parandaluese ndaj radikalizmit e urrejtjes.

Konkurs Pune

Lexo më shumë