Lajmet e fundit

Gjendja shëndetësore e deputetes australiane Helen Haines, e cila u godit nga një veturë pesë ditë më parë në verilindje të shtetit Victoria, është përmirësuar nga kritike në serioze, por stabile.
Deputetja e pavarur, 65-vjeçare, ka pësuar lëndime të rënda dhe i janë amputuar të dyja këmbët pas incidentit që autoritetet dyshojnë se ishte sulm i qëllimshëm, jashtë zyrës së saj elektorale në Wangaratta, të hënën.
Në përditësimin e fundit të shtunën në mëngjes, spitali Alfred në Melburn bëri të ditur se gjendja e saj është serioze, por stabile. Ky është përmirësimi i parë që nga momenti kur ajo u transportua me helikopter drejt spitalit.
I dyshuari për sulmin, 43-vjeçari Brendan Nugent, u arrestua pak pas incidentit dhe tashmë është paraqitur në gjykatë për tri akuza, shkruan BBC, transmeton Klankosova.tv
Ai akuzohet për drejtim të rrezikshëm të automjetit që ka shkaktuar lëndime të rënda, shkaktim të qëllimshëm të lëndimeve të rënda dhe shkaktim të dëmit ndaj një zyrtari publik të Komonuelthit Australian.
Policia ka bërë të ditur se ndaj tij mund të ngrihen akuza të tjera, përfshirë atë për tentim vrasje.
Bashkëshorti i deputetes, Phil Haines, kishte deklaruar të mërkurën se incidenti i tmerrshëm i kishte shkaktuar asaj lëndime të konsiderueshme, por se “zemra dhe mendja e saj” ishin në gjendje të mirë.