Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Përfundon seanca për veriun

NULL NULL
02.06.2023 10:12
albin kurti kuvend

Ka përfunduar seanca e Kuvendit të Kosovës pas një debate tërëditor.

Ky debat parlamentar ishte thirrur pas situatës së javës së fundit të krijuar në veri të vendit dhe vendosjes së kryetarëve të rinj të komunave nëpër objektet komunale.

Tërë ditën ka pasur akuza dhe kundërakuza të deputetëve nga pushteti e opozita.


 

19:26 – Qalaj pyet Bajqinovcin: A të kujtohet sa intervenimin e ke bërë për dikë tëndin?

Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Rashit Qalaj, e ka pyetur deputetin nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovcin, se a i kujtohet kur ky i fundit ka bërë intervenime për dikë të vetin.

Sipas Qalajt, Bajqinovci ka intervenuar për një familjar të tij të quajtur Avni, njofton Klan Kosova.

“A të kujtohet Mefail sa intervenimet i ke bërë me taku dikë të PDK-së me ta pritur dikë tendin?.

“A të kujtohet?. Mua më kë dërguar vetë, a e din?. Te zoti Kadri Veseli për ta pranuar një familjar tëndin për diçka. A po do me emër?. Më ke dërguar te Kadri Veseli ta kontaktojë për ta pranuar Avniun tënd që është në Nju-Jork”.

Mirëpo një gjë të tillë e ka mohuar deputeti Bajqinovci.

“Unë po them që këta e kanë stil këtë. Unë ju siguroj se kjo është e pavërtetë”.

*Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.


19:25 – Beqa i PDK-së: Kurti po e përdorë veriun për ta arsyetuar krijimin e “Zajednicës”

Deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa, ka thënë se ajo që po ndodh në pjesën veriore të vendit është aventurë e kryeministrit Albin Kurti.

“Kundër Serbisë jemi bashkë, por nuk jemi bashkë me eksperimentet e Kurtit”, ka thënë Beqa në foltoren e kuvendit, njofton KlanKosova.tv.

“Kurti po e përdorë veriun për ta arsyetuar krijimin e ‘Zajednicës’ të cilën e kundërshtonte ai dikur. Ai po bën autonomi territoriale për serbët”.

Sipas Beqës, Kurti është duke vepruar si një lider opozitar.

“Ky kryeministër e ka hequr njohjen reciproke nga tavolina. Vetëm kryeministër nuk është”.


17:17 – Tahiri-Avdylit: Reagim për keqardhje

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, i ka reaguar deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Haxhi Avdyli, i cili i pyeti si subjekt politik nëse janë në koordinim me presidentin serb Aleksandar Vucciq për mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë.

“Reagim për keqardhje dhe i shthurur”, është shprehur Tahiri, njofton KlanKosova.tv.

“Shprehët emocion pa argument dhe u munduat që dështimet t’i ktheni në një adresë, që është betejë e humbur. Haxhiu dhe ‘haxhiut’ tjerë betejën me Ramush Haradinajn e kanë të humbur”, ka shtuar ai.


17:07 – Avdyli, AAK-së për mocionin: A jeni në koordinim me Vuçiqin dhe Radojiçiqin?

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosjes, Haxhi Avdyli, ka shtruar pyetje drejt Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për idenë e tyre që ndaj Qeverisë Kurti të thirret mocioni i mosbesimit.

“A e keni kontaktuar Listën Serbe dhe shefin e tyre Vuçiqin. Vuçiq e ka ushtrinë në kufi, tanket në kufi. A keni biseduar për t’ia bërë qejfin? Me kë keni kontaktuar, me Vuçiqin apo Radojiçiqin për mocionin sepse pa ta nuk mund ta bëni”, është shprehur Avdyli në foltoren e kuvendit, njofton KlanKosova.tv.

“Vazhdimisht jeni në koordinim me ta. Për pushtet e rrezikoni shtetin”, ka vazhduar ai.


17:00 – Lekaj: Hajde 110 deputetë të shkojmë në veri e jo të bëjmë llafe këtu

Deputeti nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, u ka bërë thirrje të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të bëhen bashkë dhe të shkojnë në veri të Kosovës.

Mirëpo kësaj thirrjeje i është përgjigjur deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Alban Bajrami, duke e pyetur Lekajn se do të t’ua tregojë rrugën deri te shtëpia e Radojiçqit dhe Veselinoviqit, njofton Klan Kosova.

“Është paska qesharake të trajtohet kështu, por me kënaqësi do të shkonim nëse na kishte treguar rrugën deri te shtëpia e Radojiçiqit dhe Veselinoviqit, është diskutuar që keni shkuar më herët, pasi kanë shkuar edhe tjerët, shkojmë bashkë me juve”, ka thënë Bajrami.

Këtë replikë nuk e ka pranuar mirë deputeti Lekaj.

“Sa i përket kolegut deputet, më vjen turp që ai e thotë këtë dhe barazon një komandant, falë gjakut të familjes së tyre, falë luftës së tij, sot e kemi lirinë dhe ky më krahason me Radojiçiqin”.


14:38 – Gërvalla: Jemi mirënjohës përjetë për mbështetjen e aleatëve tanë

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka folur në seancën e veçantë në Kuvend, e cila është thirrur për të diskutuar për situatën në veri.

Gërvalla tha se është e zhgënjyer nga kjo seancë dhe se ka pritur diçka tjetër, duke shtuar që beson se edhe qytetarët kanë të njëjtin mendim në lidhje me këtë gjë.

“Për mua është mjaftë zhgënjyese kjo seancë, sepse kam pritur diçka krejt tjetër, mendoj që edhe qytetarët e Republikës sot kanë pritur një seancë krejt tjetër, mendoj që kanë pritur një seancë në të cilën deputetët dhe qeveria së bashku do t’i shprehin një mbështetje të plotë policisë, do t’i tregojnë që i përkrahin dhe i mbështesin ushtarët e KFOR-it, mbështesin aksionet të cilat mëtojnë të vënë në vend sovranitetin në të gjithë vendin tonë, prandaj e shoh kaq zhgënjyese këtë seancë”, u shpreh ajo.

Tutje, Gërvalla tha se jemi mirënjohës përjetë për mbështetjen e aleatëve tanë, përcjell Klankosova.tv.

“Jemi mirënjohës përjetë për mbështetjen e partnerëve tanë, të aleatëve tanë, të KFOR-it, të të gjitha organizatave dhe mekanizmave ndërkombëtare të cilat na kanë përcjellë, na kanë shoqëruar, mbështetur, ndihmuar në rrugën tonë për Republikën e Kosovës që para luftës e deri sot”, u shpreh tutje ajo.


13:42 – Krasniqi, Kurtit: Lej fjalët e hajde shkojmë në veri 

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, para deputetëve në Kuvend ka folur për situatën në veri të vendit.

Ai i është drejtuar kryeministrit Albin Kurti, duke i thënë se ai në veri ka shkuar me përcjelljen e 40 policëve.

“Merre përdore Xhelal Sveçlën me kaçketë, Elbert Krasniqin me pancir edhe ti e hajde të shkojmë te qojmë Erden Atiqin në Mitrovicë të Veriut në qytet, aty ku është komuna. Ti Veriun e ke pa kur ke shku me 40 policë deri në mahallë të boshnjakëve, aq dini ju bre për veri. 40 policë të kanë dërguar ty e Vjosa Osmanin deri në mahallë të boshnjakëve, po ju nuk guxoni me shku atje”, u shpreh ai.

Tutje, Krasniqi i ka bërë thirrje Kurtit që të shkojë në veri të vendit, përcjell Klankosova.tv.

“O zotëri, a po i len fjalët, qu shkojmë në veri, hajde shkojmë në veri, kryeministër je, priju njerëzve”, është shprehur tutje ai.


13:13 – Kurti publikon emrat e “kriminelëve” të veriut 

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në seancën e veçantë në Kuvend, e thirrur për të diskutuar për situatën në veri, ka përmendur emrat e personave për të cilët thotë se janë pjesë e grupeve kriminale serbe në veri.

Ai filloi me Millorad Jevtiq, për të cilin Kurti tha se është njëri nga drejtuesit e, siç u shpreh ai, këtij formacioni ilegal.

“Millorad Jevtiq është njëri nga drejtuesit e këtij formacioni ilegal, shtëpia e tij në Zveçan është shndërruar në bazë qëndrimi të drejtuesve të kësaj strukture ilegale. Gjithashtu ka prezencë të madhe të përfaqësuesve të Listës Serbe në atë shtëpi, ata janë duke punuar në mobilizimin e strukturave atje, për prezencë sa më të madhe para objekteve komunale dhe duke orkestruar sulme të ardhshme”

“Niçko Jevtiq, pjesëtarë i formacionit ilegal, të ashtuquajtur “Mbrojtje Civile” në Zveçan, bashkë me të, Rajko Jevtiq, ish-këshilltar i Listës Serbe në Zveçan dhe ish-drejtor në komunën e Zveçanit, babai i Miçko Jevtiq. Danillo Josifoviq, i njohur me nofkën “Përki”, gjithashtu pjesëtar i formacionit ilegal, “Mbrojtje Civile”. Liliana Aksintieviq, zëvendësuesese e kryetarit të ashtuquajtur “Organ i Përkohshëm” në Zveçan, ka urdhëruar të gjithë punëtorët e komunës ilegale të Zveçanit që në 06:30 të dalin para komunës”, tha Kurti.

Ai përmendi emrat edhe të personave që tha se po shihen të maskuar nëpër video e fotografi, përcjell Klankosova.tv.

“Persona që po i shohim të maskuar në video e nëpër fotografi, janë të udhëhequr nga ish-kapiteni i Policisë së Kosovës, Aleksandër Filipoviq, që shtirej se është integruar në shtetin tonë, ky është personi kryesor që po i drejton ata, më 29 maj të këtij viti, ka rrahur një qytetar serb në Leposaviq, pasi që ai ka qenë duke incizuar me telefon. Personat e maskuar që ishin pjesë e protestës së dhunshme në Zveçan janë: Nikolla Agjiq, ka hedhur koktej molotovi në Zveçan dhe është pjesëtar i organizatës kriminale serbe “Severna Brigada”, Millan Zhivkoviq, po ashtu pjesëtar i të njëjtës organizatë, Danillo Krivokapiq, Jovica Llazoviq, Nikolla Radimiroviq, vëllezërit Stefan dhe Dejan Nedelkoviq”.

“Kjo organizatë kriminale, në rrjetet sociale ka postuar lajm që pjesëtarë të grupit merecenarë rus “Wagner”, kanë arritur në Kosovë. Poashtu i njohur me lidhjet e këtij me këtë grup është edhe Damjan Knezheviq, i cili e drejton organizatën djathtiste “Patrollat e Popullit”. Edhe ky ka paralajmëruar ardhjen e një grupi prej 50 personave nga Serbia në Kosovë. Damjan Knezheviq dhe organizata e tij organizuan protestën e 18 dhjetorit të vitit të kaluar në afërsi të pikës kufitare në Jarinjë, me ç’rast u identifikuan një numër i konsiderueshëm personash me simbole ekstremiste ruso-serbe. Është mirë që edhe vendorët edhe ndërkombëtarët t’i dinë këta emra, se nuk i ka sulmuar populli serb, i kanë sulmuar milicia fashiste”, tha ai.

Kurti theksoi edhe disa emra, për të cilët ai tha se kanë lidhje me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.

“Vladimir Radivojeviq i cili ka njohje të drejtpërdrejt me presidentin Vuçiq, Daniel Gjukiq, bashkë me një grup personash kanë gjuajtur shok-bomba, këta janë pjesë e grupit të Millan Radojçiqit, të njohur për ndikim dhe veprimtari kriminale. Millosh Gjukiq, vëllai i Danielit, këta dy vëllezër kanë raporte shoqërore me djalin e presidentit Vuçiq. Millan Jugosllav Tomiq, i lindur në Obiliq, e me banim në komunën veriore të Mitrovicës, ka marrë pjesë në shpimin e gomave të autoblindave të Policisë së Kosovës. Millan Joviq, pjesëtar i formacionit ilegal të quajtur “Mbrojtja Civile”, me 31 mars, bashkë me një grup ka shkuar për trajnim në përdorimin e armës në Rashkë të Serbisë. Më tej Peter Millosheviq, Dejan Jevtiq, Nikola Baldini, Millan Zhivkoviq, Vuk Brankoviq, Lluka Vllaskoviq, Bozhidar Todoroviq dhe Radisha Denoviq”

“Fotografia që mori vëmendjen e rrjeteve sociale ishte ajo e Daniel Shmigiqit, i cili ka qenë e mbase edhe tash është shofer e truproje i nënkryetarit të Listës Serbe, Igor Simiq. Daniel Shmigiq ka ushtruar sulme ndaj ushtarëve të KFOR-it”, tha ai.

Tutje, Kurti foli edhe për të arrestuarit pas lëndimit të ushtarëve të KFOR-it.

“Pas eskalimit të situatës dhe lëndimit të dhjetëra ushtarëve të KFOR-it janë arrestuar Nebojsha Elezoviq, i cili e ka shoqëruar Goran Rakiqin gjatë udhëtimit të tij në Beograd, me datë 23 mars 2022 për të marrë pjesë në Mbledhjen e Këshillit të Sigurisë të Serbisë. Radosh Mitroviq dhe Zhivojko Miljentijeviq këta janë arrestuar”.

“Më 31 maj, në orët e hershme të mëngjesit policia e Kosovës ka arrestuar dy shtetas serb, Ivan Sekuliq dhe Sinisha Jevtiq, ata kanë poseduar materiale të dyshimta, përfshirë maska kamufllazhi, emblema me simbole nacionaliste, kartelë të Veteranëve të Luftës dhe Akademisë për Siguri të Serbisë, shufër metalike, disa thika, substanca narkotike, sprej të ndryshëm, sfera metalike dhe një çekan”, u shpreh tutje ai./Klankosova.tv


12:21 – Haradinaj: Ajo që ne s’po e flasim në Kosovë, është ku po shkon Kosova nën udhëheqjen e Kurtit?

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, para deputetëve në Kuvend tha se në Kosovë nuk po diskutohet se ku po shkon Kosova nën udhëheqjen e Kurtit.

Ai u shpreh po devijohet ajo që, siç u shpreh ai, po i ndodh Kosovës nga kryeministri Kurti dhe Qeveria e tij.

“Ajo që ne nuk po e flasim në Kosovë, është ku po shkon Kosova nën udhëheqjen e kryeministrit Kurti, pra po e devijojmë atë që sot po i ndodh Kosovës nga kryeministri Kurti, nga Qeveria Kurti”, tha ai.

Haradinaj gjithashtu tha se Kurti në vazhdimësi e ka kultivuar një mosbesim në aletatët e Kosovës, e siç u shpreh ai, veçanërisht në ata të sigurisë, përcjell Klankosova.tv.

“Mosbesim deri në pabesi, jo befasi, por mosbesim deri në pabesi. Kryeministri Kurti, i sotmi, po dikur udhëheqës i Vetëvendosjes, ka ngjallë, ka krijuar, ka mbjellë mosbesim të brendshëm. Pra, gjithmonë e ka ushqyer një mosbesim në çdo proces, në çdo institucion, në çdo palë dhe është rritë me këtë mosbesim. Në vazhdimësi e ka kultivuar një mosbesim në aletatët e Kosovës, veçanërisht në ata të sigurisë dhe në garantin tonë  kryesor të sigurisë, që është Amerika”, tha tutje ai.


12:04 – Kusari-Lila: Situata në veri, zinxhir i ngjarjeve të cilat s’kishin ndryshuar rrjedhë që nga përfundimi i luftës në Kosovë

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, para deputetëve në Kuvend ka folur për situatën në veri.

Ajo u shpreh se kjo situatë është është zinxhir i ngjarjeve të cilat, siç tha ajo, përmbajtësisht nuk kishin ndryshuar rrjedhë që nga përfundimi i luftës në Kosovë, por tha se kanë ndryshuar dinamikë, përcjell Klankosova.tv.

Situata aktuale në veri nuk është sekuencë e shkëputur e një ngjarje ‘ad hoc’, situata në veri është zinxhir i ngjarjeve të cilat përmbajtësisht nuk kishin ndryshuar rrjedhë që nga përfundimi i luftës në Kosovë, por kanë ndryshuar dinamikë, e tani po ndryshojnë edhe në përmbajtje”.

“Përceptimi se në veri të vendit para një dekade kishte zhbërje të strukturave ilegale, doli të ishte tërësisht i paqëndrueshëm”, u shpreh ajo.


12:00 – Krasniqi ftesë Kurtit: Hajde shkojmë bashkë në veri – çlirimtar i serbëve

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, i ka bërë ftesë kryeministrit të vendit, Albin Kurti, që bashkë të shkojnë në zyrat e komunave në veri të vendit.

Ai i tha Kurtit se është lehtë të flitet prej Prishtinës, por sipas tij, është mirë që të shkojnë bashkë në veri.

“Nëse kryeministri po insiston të shkohet në ndërtesat komunale, a guxon ti kryeministër me shku, a shkojmë unë e ti, unë vi me ty. Po hyjmë bashkë në Leposaviq, Zvecan, Zubin Potok e Mitrovicë të Veriut”.

“Lehtë është të thuhet prej Prishtinës, por hajde shkojmë bashkë në veri, hyjmë ne në zyrë, rrimë me ta në zyrë”, tha Krasniqi, njofton Klankosova.tv.

Më tej, ai i reagoi edhe për atë që Kurti tha se i duhet ndihmë për t’i çliruar serbët e Kosovës prej trysnisë së Beogradit, duke e quajtur kryeministrin si “çlirimtar i serbëve”.

“Kryeministri i Kosovës e paska qëllimin t’i çlirojë serbët. Çlirimtari i serbëve. Me demokratizu Serbinë, kcyri more punët e tua. Kosova është llugë e ti po më tregon se si duhet bërë parti politike në Beograd”, tha Krasniqi, njofton Klankosova.tv.

Rrini të informuar mbi zhvillimet kryesore duke u bërë pjesë e komunitetit tonë në Viber

BONUS: Merreni aplikacionin tonë në Android dhe iOS


11:54 – Abdixhiku: Reagimet e Bashkësisë Ndërkombëtare, pasojë e keqveprimeve diplomatike dhe strategjike të Kurtit

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, para deputetëve në Kuvend, foli për situatën në veri dhe reagimet e Bashkësisë Ndërkombëtare në lidhje me këtë situatë.

Ai tha se gjithë këto reagime janë pasojë e keqveprimeve diplomatike dhe strategjike të kryeministrit Kurti, përcjell Klankosova.tv.

“Reagimet e sekretarit Blinken, pra të vet Departamentit Amerikan të Shtetit, të Bashkimit Evropian, të NATO-s, e shteteve më mike të Kosovës, kundër shtetit tonë, kundër Republikës së Kosovës, popullit tonë, në një kauzë të drejtë, janë si pasojë e keqveprimeve diplomatike dhe strategjike të një njeriu të vetëm, të atij që sot e mban postin e kryeministrit të Kosovës”.

“Ky kryeministër i njëjtë i cili para pak kohësh ka pranuar publikisht se është informuar po nga këta miq, mbi gjërat të cilat ai vet nuk i dinte si kryeministër, të njëjtën njerëz, të njëjtit aleatë sot janë naivë, nuk dinë, por ky dinë”, u shpreh ai.


11:52 – Krasniqi, Kurtit: I ke gënjyer kryetarët se do të kenë takim me Elbertin e i ke çu në zyrë

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, i tha kryeministrit të vendit, Albin Kurti, se po sillet si gazetar mediokër e jo si kryeministër.

Raportimin e Kurtit për situatën në veri, Krasniqi e quajti histori, teksa tha se ai s’diti të tregoi se cka do të arrij me ato veprime dhe se ishin pa koordinim me partnerët ndërkombëtarë.

“Histori na dhe, historia e vërtetë është se zgjedhjet janë mbajtur si shkak i gabimeve të tua, për shkak të asaj se iu ke premtuar partnerëve ndërkombëtar se do ta shtysh vendimin për targa në veri e në fund s’e mbajtur atë premtim. Ka filluar një proces i daljes prej institucioneve e në fund je tërhequr prej vendimit të targave, sic tërhiqesh gjithë.  Cfarë targa në veri, janë targa që kanë qenë gjithmonë, të Serbisë”, tha Krasniqi, njofton Klankosova.tv.

Sipas Krasniqit, pikërisht sot një javë, kryetarët e komunave veriore janë gënjyer se do të kenë takim me ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, e janë çuar në zyrë.

“Sot një javë në këtë kohë, ti krye në vete pa folur me asnjë njeri e ke nisur një veprim avanturesk pasi s’iu ke treguar as kryetarëve të komunave se do t’i coni në zyrë. I keni mashtruar duke iu thënë se keni takim me Elbert Krasniqin”.

“E ke mbyllur një kryetar si Oso Kuken atje, me kë është duke punuar ai. Por, pse s’po e çon Erden Atiqin në komunë, por e ke çuar në ndërtesë dytësore ashtu sic është edhe Izmir Zeqiri e Ilir Peci”, tha Krasniqi, njofton Klankosova.tv.

Rrini të informuar mbi zhvillimet kryesore duke u bërë pjesë e komunitetit tonë në Viber

BONUS: Merreni aplikacionin tonë në Android dhe iOS


11:22 – Kurti i quan të tepruara deklaratat dhe shqetësimet ndërkombëtare

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka thënë se pas betimit të kryetarëve të rinj në veri më 25 maj, mungonte e po mungon ende deklarata se në përputhje me procesin të mos pengohet as puna e kryetarëve deri në zgjedhje të reja.

Ai o quajti deklarata e shqetësime të tepruara, reagimet e shteteve të QUINT-it dhe Bashkimit Evropian, duke thënë se ato s’i ndihmuan situatës.

“Deklarata e munguar e shoqëruar me shqetësimet e tepruara nuk i ka ndihmuar situatës. Kjo kronologji e ngjarjeve është me rëndësi pasi që tregon se institucionet e Kosovës kanë bërë detyrat e tyre”.

“Ne kemi vepruar në përputhje me obligimet kushtetuese dhe interesat e qytetarëve të Kosovës, por kjo kronologji tregon se jo vetëm që ka pasur konsultim por edhe bashkërendim me partnerët ndërkombëtar”, tha Kurti, njofton Klankosova.tv.

Tutje, ai tha se s’ka pasur asnjë befasi për partnerët ndërkombëtarë, pasi siç tha, ky ka qenë një proces me shumë hallka e “hallka e fundit ishte shkuarja e kryetarit me çantë në vend të punës.

“Ajo që duhet ta përsëris është se objektet publike të Kosovës i takojnë Kosovës e Kosova është e qytetarëve”, tha Kurti, njofton Klankosova.tv.

Rrini të informuar mbi zhvillimet kryesore duke u bërë pjesë e komunitetit tonë në Viber

BONUS: Merreni aplikacionin tonë në Android dhe iOS


11:11 – Kurti: Shoqërimi i kryetarëve me polici s’ishte vendim politik por i organeve të sigurisë – e mbështes edhe sot

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka thënë se shoqërimi i kryetarëve të rinj me forca të sigurisë nuk është vendim politik por vlerësim i organeve të sigurisë, për të cilin tha se e ka mbështetur atëherë e njëjtë e mbështet edhe sot.

Ai tha se të shumtë janë ata që praninë e policisë e kanë quajtur si hyrje me forcë në ndërtesë, e që sipas tij, s’ka nevojë të quhet ashtu, sepse ajo ndërtesë është e Kosovës.

“Nuk ka pasur asnjë arsye të hyhet me forcë në ndërtesë për ata që e shohin vetëm fotografinë e policisë në sekondin kur hyn kryetari, sikur ndërtesa të mos ishte e rrethuar me njerëz të cilët pasi që e kishin blinduar portën, nuk dëshironin të hynte askush”, tha Kurti, njofton Klankosova.tv.

Tutje, Kurti tha se kur kryetarët e rinj kanë hyrë në ndërtesa, ato ishin të zbrazëta por të blinduara.

“Ata i dinë që ndërtesat janë të Republikës e jo të tyre. Ata s’po i duan ndërtesat, ata po duan që as ne të mos i duam ato. Unë kam pasur hall që kur vije puna të hyjë kryetari i komunës në Leposaviq, Zveçan a Zubin Potok, çka do të bëjnë serbët që janë në administratë, por ata i kishin braktisur ndërtesat dhe natyrisht që aty hyjnë kryetari i komunës, po kush tjetër”m tha Kurti, njofton Klankosova.tv.

Më tej, i pari i qeverisë tha se fakti që ka pasur pengesa në hyrje të komunës, prezenca e policisë ka qenë e justifikuar.

“Dhe nëse e vëreni diskutimin që ka polici i Kosovës me protestuesit e sqaron gjithçka. “Kemi nevojë për korridor për qasje”. E, kur nuk krijohet mundësia për korridor për qasje, natyrisht që na duhet ndërtesa dhe policia këtë e merr nën kontroll këtë aset të Kosovës”, shtoi Kurti, njofton Klankosova.tv.


10:48 – Nis seanca për veriun me 40 minuta vonesë

Me rreth 40 minuta vonesë, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca e ka nisur seancën e thirrur nga opozita për debat mbi situatën e krijuar në veri dhe për raportet e vendit me ShBA-në si pasojë e kësaj situate.

Arben Gashi, shef i GP të LDK-së, tha se do të presin çka do të thotë kryeministri Kurti për këto tema, para se të nisin debatin.

“Me propozim të Kryesisë së Kuvendit, kemi ftuar sot kryeministrin Kurti që të raportojë mbi gjendjen e krijuar në veri të Kosovës dhe raportet me ShBA-në. Këto janë dy temat për çka e kemi ftuar kryeministrin të raportojë dhe presim raportin e tij dhe pastaj deklarimet tona mbi raportin e tij mbi gjendjen”, tha Gashi. /Klankosova.tv

Rrini të informuar mbi zhvillimet kryesore duke u bërë pjesë e komunitetit tonë në Viber

BONUS: Merreni aplikacionin tonë në Android dhe iOS


Deputetët s’e marrin seriozisht seancën për veriun – vonohen shumica

Kuvendi i Kosovës sot ka thirrur seancë për situatën në veri, e cila është dashur të nisë në ora 10:00.

Ndonëse tema është mjaft serioze, deputetët e kuvendit kanë zgjedhur që të vonohen për seancë, njofton Klankosova.tv.

Deri në ora 10:05, në sallë të kuvendit ishin vetëm 12 deputetë, ku së paku tetë prej tyre ishin nga mazhoranca e vetëm tre u panë te jenë ulur në ulëset e opozitës.

Rrini të informuar mbi zhvillimet kryesore duke u bërë pjesë e komunitetit tonë në Viber

BONUS: Merreni aplikacionin tonë në Android dhe iOS

Kuvendi per veri
Kuvendi per veri

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.