Përfundon me sukses operacioni i kërkim-shpëtimit, evakuohen katër qytetarë në Drelaj të Rugovës

Përfundon me sukses operacioni i kërkim-shpëtimit, evakuohen katër qytetarë në Drelaj të Rugovës

NULL NULL
1 muaj më parë

Njësia e Kërkim-Shpëtimit e Gardës Kombëtare të Forcës së Sigurisë së Kosovës ka realizuar me sukses një operacion të kërkim-shpëtimit malor në fshatin Drelaj të Rugovës së Pejës.

Operacioni, në kushte nate dhe terren të vështirë, u zhvillua duke filluar mbrëmë prej orës 23:00 dhe përfundoi suksesshëm sot në orët e hershme të mëngjesit me kërkimin, shpëtimin dhe evakuimin e katër personave.

“Njësia e FSK-së, operacionin e realizoi në koordinim me njësitë e Policisë së Kosovës, Zjarrfikësit Lokal, ndërsa evakuimin e personave e ka bërë në bashkëpunim me Shoqatën e Kërkim-Shpëtimit Malor Peja”.

“Angazhimi vetëmohues dhe profesionalizimi i lartë i pjesëtarëve të njësive të Kërkim- Shpëtimit të FSK-së, si edhe njësive tjera, dëshmohen në çdo kohë, në çdo vend dhe në çdo situatë në shërbim të qytetarëve tanë”, ka njoftuar Ministria e Mbrojtjes e Kosovës, transmeton Klan Kosova.

Personat e shpëtuar ishin pjesëtarë të Shoqatës Alpiniste “Gjeravica”, njëri prej të cilëve ishte i lënduar e të cilit iu ofrua trajtimi fushor mjekësor dhe evakuimin profesional.