Përfaqësuesit e Luginës s'ndryshojnë qëndrim, janë pro bashkimit me Kosovën - Klan Kosova

Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Përfaqësuesit e Luginës s’ndryshojnë qëndrim, janë pro bashkimit me Kosovën

NULL NULL
10/09/2018

Kryetari i komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi, duke folur pas takimit që përfaqësuesit e Luginës së Preshevës kishin me presidentin e vendit, Hashim Thaçin, ka thënë se dialogu i Brukselit duhet shfrytëzuar si mundësi që Lugina t’i bashkëngjitet Kosovës.

“Në këtë takimin e radhës që patëm me presidentin e Republikës së Kosovës, ne ritheksuam qëndrimin tonë nga takimi i parë për nevojën dhe domosdoshmërinë e bashkëngjitjes së Luginës së Preshevës me Kosovën”.

“Dialogu i Brukselit është një mekanizëm që duhet shfrytëzuar dhe ne shpresojmë që ky mekanizëm është inkurajues edhe për faktin se tashmë e kemi të qartësuar pak a shumë edhe qëndrimin e vendeve kryesore perëndimore. Kemi një qëndrim të SHBA-ve derisa ditëve të fundit kemi pasë takime në Bujanoc dhe Preshevë me përfaqësuesë të Ambasadës Britanike dhe ambasadave tjera perëndimore, të cilëve ia kemi shprehur idenë tonë”.

Sipas Kamberit, megjithatë në këtë pikë duhet të ketë konsensus mes partive politike në Kosovë, njofton Klan Kosova.

“Është me rëndësi që në këtë fazë të ndërtohet një konsensus politik në Prishtinë lidhur me kërkesën e shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe sipas nesh, ky konsensus duhet të kalojë përmes një rezolute në Kuvendin e Kosovës”.

“Ne shpresojmë që të gjithë akterët politikë në Kosovë, veçanërisht deputetët e Kuvendit të Kosovës, do të respektojnë kërkesën tonë dhe përmes saj do të ndërtohet një unitet politik i plotë që do të mbështesë presidentin dhe ekipin negociator të Kosovës në bisedimet e Brukselit”.

“Lugina e Preshevës e ka shprehur qëndrimin e vet dhe është për bashkim me Kosovën duke kërkuar respektimin e tërësisë së saj territoriale”.

Edhe kryetari i PDSH-së, Ragmi Mustafa, është shprehur se Presheva, Medvegja dhe Bujanoci duhet t’i bashkohen territorit të Kosovës.

“Është radha e dytë që takohemi me presidentin e Republikës së Kosovës, në cilësinë e përfaqësuesve politikë të shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës për të kërkuar në këtë fazë që Lugina e Preshevës duke qenë se ka hyrë në agjendën e bisedimeve në Bruksel, ka arritur pikën më kulmore të diskutimit të saj me SHBA-të dhe të gjitha vendet e Evropës Perëndimore”.

“Jo më shumë se vullneti politik i shqiptarëve të Luginës së Preshevës i shprehur në referendumin e 20 marsit të vitit 1992 nuk kërkojmë nga presidenti. Këtë vullnet politik të popullit ta procesojë natyrisht përmes institucioneve dhe subjekteve politike në adresa të Bashkësisë Ndërkombëtare ”.

“Ne jemi shumë të lumtur që këtë e ka pranuar Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në këtë rast akoma më e madhe është që presidenti i Republikës së Kosovës me guximin e tij më të madh e ka pranuar që ta diskutojë dhe ta vëjë në tryezën e bisedimeve”.

Edhe Mustafa ka kërkuar unitet nga partitë politike në Kosovë, njofton Klan Kosova.

“Ne presim që të gjitha subjektet politike përfaqësuese në Parlamentin e Kosovës do të miratojnë rezolutën për mbështetjen e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit që të jenë pjesë integrale e territorit të Republikës së Kosovës”.

Ish-kryetarja e komunës së Preshevës që vjen nga Partia për Veprim Demokratik, Ardita Sinani, ka thënë po ashtu se do të kërkojnë nga institucionet e vendit dhe të gjitha partitë politike mbështetje në këtë çështje.

“Diskriminimi i vazhdueshëm në të gjitha sferat dhe lëmitë e jetës që po bëhet nga ana e shtetit të Serbisë si dhe spastrimi i heshtur ndaj popullatës shqiptare, neve nuk na mbetet rrugë tjetër përpos që t’i drejtohemi institucioneve të Kosovës duke e jetësuar vullnetin e popullit me të drejtë bashkimin me Kosovën”.

“Kërkesat tona do t’i drejtohen përpos institucioneve të Kosovës edhe të gjitha subjekteve politike”.