Përfaqësuesi i SHBA-së në OKB: Kriza në veri dëshmoi se misioni i UNMIK-ut duhet të përmbyllet

Përfaqësuesi i SHBA-së në OKB: Kriza në veri dëshmoi se misioni i UNMIK-ut duhet të përmbyllet

NULL NULL
2 months më parë

Përfaqësuesi i SHBA-së në Këshillin e Sigurimit të OKB-së ka thënë se e mirëpresin marrëveshjen e arritur për targat mes Kosovës dhe Serbisë duke thënë se kjo është dëshmi që kur udhëheqësit angazhohen mund të gjejnë gjuhë të përbashkët nga e cila përfitojnë dy palët.

“Dëshiroj të filloj duke mirëpritur marrëveshjen për çështjen e targave të arritur mes Kosovës dhe Serbisë të cilën e ka ndërmjetësuar Përfaqësuesi Special i BE-së Mirosllav Lajçak. Kjo marrëveshje është një hap përpara për Kosovën, Serbinë dhe për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor. Kjo marrëveshje është dëshmi që kur udhëheqësit angazhohen në mënyrë të hapur dhe serioze mund të gjejnë gjuhë të përbashkët duke përfituar të gjithë qytetarët e tyre. Inkurajojmë Kosovën dhe Serbinë që të vazhdojnë të ndërtojnë mbi këtë progres duke zbatuar këtë marrëveshje, duke i respektuar marrëveshjet paraprake, duke u përmbajtur nga provokimet dhe duke u përkushtuar në zgjidhjet përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Dialogu mbetet platforma kryesore për zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura dhe për normalizimin e marrëdhënieve duke arritur në fund një marrëveshje për njohje të ndërsjellë”.

Ai në Këshill të Sigurimit ka thënë se misioni i UNMIK-ut në Kosovë duhet të përmbyllet, duke shtuar se tensionet në veri e dëshmuan se ky mision nuk duhet të jetë më i pranishëm në Kosovë, njofton Klankosova.tv.

“UNMIK-u nuk ka luajtur rol kritik në zgjidhjen e tensioneve të fundit mes Kosovës dhe Serbisë lidhur me çështjen e targave. De-eskalimi i kësaj çështje me përkrahjen e përkohshme të ofruar nga KFOR-i tregon se organizatat e tjera mund ta luajnë këtë rol më mirë. Ngjarjet e fundit demonstruan prapë se UNMIK-u e ka plotësuar qëllimin e tij siç është paraparë në mandatin e tij fillestar. Duhet ta kuptojmë këtë realitet dhe të shkojmë drejt mbylljes së tij.

“Ky këshill ka përgjegjësinë për të ridrejtuar vëmendjen dhe resurset e tij në zonat dhe çështjet ku kjo është më së shumti e nevojshme. OKB-ja ende mund të luajë rol të rëndësishëm në zhvillimin e institucioneve demokratike në rajon, por ky rol nuk kërkon një mision paqeruajtës në Kosovë. SHBA-ja shpreh zhgënjimin që thirrjet paraprake nga Këshilli i Sigurimit nuk janë zbatuar. Ne kërkojmë që Këshilli i Sigurimit të mbyllë dalëngadalë UNMIK-un në mënyrë që të kemi një prani tjetër të OKB-së ashtu që Kosova të realizojë potencialet e saja të plota”.