Lajmet e fundit

Telekomi i Kosovës, i cili për pasqyrat financiare të vitit 2024 ishte audituar nga Zyra Kombëtare e Auditimit dhe kishte marrë opinion të pamodifikuar, një vit më vonë nuk iu nënshtrua auditimit nga institucioni suprem i auditimit në vend.
Pasqyrat financiare të vitit 2025 u audituan nga kompania private “Nexia Kosovo”, ndërsa arsyeja pse ZKA nuk e auditoi Telekomin mbetet e pasqaruar, të paktën zyrtarisht.
KIKS Kosova ka kërkuar nga Zyra Kombëtare e Auditimit sqarime se përse Telekomi nuk është audituar nga ky institucion për vitin 2025, por ZKA nuk ka dhënë përgjigje.
Jo zyrtarisht, KIKS-i ka mësuar se ZKA nuk e ka audituar Telekomin për shkak se për vitin 2024 kishte dhënë opinion të pamodifikuar.
Ndryshimi i auditorit solli edhe një rezultat tjetër. Përderisa për vitin 2024 ZKA kishte dhënë opinion të pamodifikuar, për vitin 2025 Nexia dha opinion të kualifikuar.
Rezerva e auditorit privat lidhet me një prej elementeve kryesore të pasqyrave financiare të Telekomit – të hyrat.
Në raportin e auditimit, Nexia konstaton se “Shoqëria nuk kishte model, proces, politika dhe metodologji të dokumentuar në mënyrë të mjaftueshme dhe të përshtatshme për aplikimin e kërkesave të IFRS 15 mbi kategoritë kryesore të të hyrave”.
Sipas auditorit, mungonte analiza e plotë dhe e dokumentuar e kontratave me klientët, obligimeve të performancës, mënyrës së ndarjes së çmimit dhe momentit kur regjistrohet e hyra. Problemi është veçanërisht i rëndësishëm për kontratat afatgjata dhe pakot që përmbajnë disa shërbime.
Për shkak të kësaj, Nexia thotë se nuk ka mundur të përcaktojë nëse të hyrat, të arkëtueshmet tregtare dhe të hyrat e shtyra janë paraqitur drejt sipas IFRS 15, e as nëse do të nevojiteshin korrigjime.
Telekomi, megjithatë, mban qëndrim tjetër. Ndërmarrja thotë se e ka analizuar opinionin e auditorit, por nuk ka vlerësuar se duhet të bëjë korrigjime.
“Telekomi konsideron se pasqyrat financiare të publikuara janë në përputhje me IFRS dhe sigurisht që kemi analizuar opinionin e auditimit. Raporti i auditimit nuk ka kërkuar dhe as rekomanduar të ndërmerret ndonjë korrigjim në pasqyra, ndërsa Telekomi nuk ka vlerësuar se duhet ndërmarrë ndonjë korrigjim. Opinioni i auditimit nuk konstaton se të hyrat e raportuara nuk janë në përputhje me IFRS, por konstaton që në mungesë të metodologjisë të shkruar që siguron raportimin e të hyrave në përputhje me IFRS, nuk mundëson të përcaktoj efektin në të hyrat nëse një metodologji e tillë do të ekzistonte”, thuhet në përgjigjen e Telekomit për Kiks Kosova.
Më poshtë, ndiqni kronikat e përgatitura nga Kiks Kosova për këtë çështje:
Ndiqeni emisionin e plotë: