Lajmet e fundit

Në Prishtinë po vazhdojnë protestat e fuqishme qytetare në kundërshtim të vendimit të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Për të gjashtën ditë me radhë, mijëra protestues kanë zbritur sonte në sheshin “Skënderbeu” të kryeqytetit, në një tubim masiv e paqësor në mbështetje të katërshes së UÇK-së.
Gazetarja e Klan Kosovës, Altiana Zogaj, raportoi drejtpërdrejt nga sheshi se në mesin e masës së madhe ka edhe shumë bashkatdhetarë nga diaspora, të cilët kanë udhëtuar posaçërisht drejt Kosovës për t’iu bashkuar bashkëkombësve të tyre në këto protesta.
Një nga momentet më emocionuese të mbrëmjes ishte kur veterania e luftës, Aida Dërguti, doli përpara masës dhe udhëhoqi njëzëri betimin historik të ushtarit të UÇK-së, ku të gjithë të pranishmit në kor recituan me një zë fjalët e betimit, mes ovacioneve e thirrjeve për liri.
Në duart e protestuesve po valëviten flamuj kombëtarë, të UÇK-së dhe ata amerikanë, teksa në sy bie edhe pankarta me thënien e famshme të ish-presidentit Hashim Thaçi: “Unë të dua, ti e din!”.
Përveç tubimit në shesh, një grup qytetarësh kanë përcjellë një mesazh të drejtpërdrejtë politik për ligjvënësit e Kosovës. Te hyrja e Kuvendit të Kosovës është vendosur pankarta me paralajmërimin: “Deputetë, kush s’e mbështet ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për Specialen, përballet me popullin!”