Pejë, 7 muaj burgim për vrasje në tentativë në tejkalim të mbrojtjes së nevojshme

Pejë, 7 muaj burgim për vrasje në tentativë në tejkalim të mbrojtjes së nevojshme

2 muaj më parë

Gjykata Themelore në Pejë –  Departamenti për Krime të Rënda ka shpallë aktgjykim dënues ndaj të pandehurit me inicialet SH.B.

Kjo për shkak se më datë 07.02.2020, rreth orës 11:20, i akuzuari duke vepruar në tejkalim të mbrojtjes së nevojshme dhe aftësisë esencialisht të zvogëluar, me thikë të kuzhinës, ka tentuar ta privojë nga jeta të dëmtuarin B.Q, në atë mënyrë që për shkak të një fjalosje verbale, i dëmtuari ngritët nga tavolina e tij dhe shkon te tavolina e pandehurit, ku ky i fundit e nxjerr thikën e kuzhinës dhe në momentin kur i dëmtuari e sulmon me grushte të pandehurin, i pandehuri me thikë e godet të dëmtuarin tri herë, duke i shkaktuar kështu lëndime të lehta trupore.

Me këto veprime i pandehuri ka kryer veprën penale vrasje e mbetur në tentativë në tejkalim të mbrojtjes së nevojshme, njofton Klan Kosova.

Më poshtë mund ta lexoni komunikatën e plotë:

Të pandehurit i është shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej shtatë (7) muaj, në të cilin dënim i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim si dhe dënimi plotësues konfiskimi i një thike të kuzhinës.                       

I njëjti është obliguar që në emër të paushallit gjyqësor të paguaj shumën prej njëzet (20) euro, si dhe në emër të kompensimit të viktimave shumën prej pesëdhjetë (50) euro, të gjitha këto në afat prej 15 ditëve, pasi që aktgjykimi të merr formën e prerë.

I dëmtuari B.Q, për realizimin e kërkesës pasurore juridike është udhëzuar në kontest të rregullt civil.

Pas shpalljes së aktgjykimit të pandehurit i është ndërprerë masa e paraburgimit gjer në plotfuqishmërinë e aktgjykimit.

Të pandehurit SH.B, gjykata i ka shqiptuar edhe masën e trajtimit të detyrueshëm psikiatrik në liri, pushimi i kësaj mase do të caktohet nga gjykata kur të vërtetohet se vazhdimi i mëtutjeshëm i këtij trajtimi është i pa nevojshëm, pas raporteve mbi gjendjen shëndetësore dhe mendore për të pandehurin. Në rast të mosrespektimit të kësaj mase nga ana e të pandehurit, gjykata mund të vendosë për ndërrimin e masës në dhe të njëjtit t’i shqiptohet masa e trajtimit të detyrueshëm me ndalim.

Kundër këtij aktgjykimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.

klankosova.tv