Lajmet e fundit

Kampionia në fuqi e Kosovës në basketboll, Trepça, ka regjistruar humbjen e parë në edicionin e ri të Superligës, pasi u mposht të shtunën mbrëma në palestrën “Minatori” nga Peja me rezultat 87:81.
Verdhezinjtë e kontrolluan avantazhin gjatë pjesës më të madhe të derbit, ata e nisën ndeshjen me ritëm më të lartë, duke fituar çerekun e parë 20:16 dhe të dytin 27:24, për të shkuar në pushim mes pjesëve me një epërsi prej shtatë pikësh (47:40), transmeton Klankosova.tv.
Perioda e tretë ishte tërësisht e ekuilibruar dhe u mbyll baras 16:16, ndonëse “Xehetarët” tentuan rikthimin në dhjetëminutëshin e fundit duke e fituar atë me shifrat 25:24, diferenca nuk mjaftoi për ta përmbysur rezultatin final.
Kjo shënon fitoren e dytë radhazi për Pejën në këtë fillim sezoni, pas triumfit me rezultat zyrtar ndaj Sigal Prishtinës në xhiron hapëse, teksa mitrovicasit mbesin me bilanc prej një fitoreje dhe një humbjeje.