Peci: Më herët kishte abuzime në Ministri të Bujqësisë, grantet s’shkonin në adresën e duhur - Klan Kosova

Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Peci: Më herët kishte abuzime në Ministri të Bujqësisë, grantet s’shkonin në adresën e duhur

NULL NULL
09/06/2022

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka thënë se kur e ka marrë mandatin në ministrinë që tash e drejton ka gjetur shumë abuzime financiare që janë bërë me subvencionet dhe grantet e parapara për bujqësi.

“Niveli i tillë i abuzimeve financiare që kanë ekzistuar në Ministrinë e Bujqësisë nuk do të ishte i tillë në rast se do të kishte vullnet nga kabinetet paraprake për t’u luftuar këto dukuri. Po flasim për marrjen e subvencioneve për sipërfaqe fiktive dhe për një numër të konsiderueshëm të granteve, ku një numër i konsiderueshëm i personave që nuk merren me veprimtari bujqësore kanë përfituar dhe grantet nuk kanë shkuar në adresën e duhur”.

Por, a ka marrë Faton Peci ndonjë masë që të mos ndodhin këso abuzime që thotë se kanë ndodhur në Ministrinë e Bujqësisë para se ai të ishte ministër?

“Nga kabineti i Ministrit të Bujqësisë aktualisht nuk shkon asnjë referencë, as për kategorinë e subvencioneve e as të granteve, se kush duhet të përfitojë e kush nuk duhet të përfitojë nga buxheti i shtetit. Është interesimi dhe angazhimi ynë maksimal që të verifikojmë dhe riverifikojmë proceset për të parë nëse ka padrejtësi në procesin e vlerësimit dhe në atë të aplikimit. Ka interesim që të shtohet numri i kontrolleve dhe thjesht të bëjmë gjithçka që është e mundur që mjetet financiare, pra buxheti i taksapaguesve qytetarëve të Kosovës të mos abuzohet”, ka deklaruar ai në “Info Magazine” të Klan Kosovës.

Ministri Peci ka thënë se një shembull të abuzimit me grantet për bujqësi e ka hasur gjatë vizitës në një fshat të Kosovës, ku thotë se e takoi një fermer që traktorin, me të cilin e punon tokën, e ka marrë nga një person tjetër, që e ka marrë atë si grant nga Ministria e Bujqësisë.

“Unë kam shkuar në një fshat të Kosovës dhe kam takuar një fermer tejet të vyeshëm, i cili punonte rreth 90 hektarë tokë të mbjellë me kultura të ndryshme dhe kur e kam pyetur se ku e ka përfituar traktorin që shërben për mbjelljen e tokës, ai më tha që ‘kam marrë dy kredi, derisa traktorin e kam marrë nga një person që ka fituar grant në Ministri të Bujqësisë’. Ky është një prej shembujve më eklatantë për mënyrën se si është përfituar në mënyrë jomeritore. Fatkeqësia më e madhe është që fermeri në fjalë ishte ish-ushtar i UÇK-së, i cili kishte edhe plagë në trup. Është një situatë tejet abuzive”.