PDK: Qeveria Kurti po e zhyt vendin në krizë, propozojmë shfuqizimin e rivlerësimit për tatim në pronë NULL NULL 30.01.2023 14:43 30.01.2023 14:43 Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar shfuqizimin e rivlerësimit për tatimin në pronë dhe ka njoftuar se nesër do të propozojë amendamentin e ligjit aktual për tatimin në pronën e paluajtshme. Koordinatori i Departamentit për Financa në Kabinetin për Qeverisje të Mirë në PDK, Arben Mustafa, tha se veprimi i fundit i Qeverisë së Kosovës për t’i shtrenjtuar faturat e tatimit në pronë shpërfaq mungesën e konsideratës për vështirësitë me të cilat po ballafaqohen qytetarët e Kosovës si pasojë e krizës ekonomike. “Qeveria e Kosovës po e zhyt vendin nga kriza në krizë, ndërsa për të gjitha krizat e ka pothuajse përgjigjen e njëjtë, shpërndarjen e 100 eurove që tashmë po paraqesin instrumentin më të dalluar të politikëbërjes ekonomike të kësaj qeverie e të cilat në asnjë rast nuk kanë arritur të adresojnë nevojat e qytetarëve. Në rastin e tatimit në pronë, kjo mbështetje e propozuar madje nuk ka as bazë ligjore, gjë që krijon evidencë shtesë se kjo qeveri po bën politikë shkel e shko, pa e kuptuar rëndësinë e veprimeve të veta dhe pa një plan serioz se ku dëshiron të arrijë. Ky veprim si dhe veprimet tjera janë përpjekje për të mbuluar skandalet e njëpasnjëshme e sidomos skandalin rajonal te korrupsionit shumëmilionësh të ambasadorit Martin Berishaj”, shtoi ai. PDK-ja kërkon shfuqizimin e menjëhershëm të rivlerësimit mbi tatimin në pronë dhe aplikimin e faturave që kanë qenë në vitin 2022. “Shtrenjtimi i faturave të tatimit në pronë në këtë kohë të vështirë për qytetarët e Kosovës është plotësisht i papranueshëm. Për më tepër, rivlerësimi i pronave që çoi në shtrenjtimin e faturave është bërë duke u bazuar në metodologji dhe kritere jotransparente për publikun dhe duke mos i marrë parasysh zhvillimet që kanë ndodhur për sa i përket kërkesave të komunave për më tepër fleksibilitet në normat e tatimit në pronë. Prandaj, Partia Demokratike e Kosovës kërkon shfuqizimin e menjëhershëm të këtij rivlerësimi dhe aplikimin e faturave që kanë qenë në vitin 2022, ndërsa gjatë vitit 2023 kërkohet që të punohet në ligjin e ri të tatimit në pronë i cili duhet të adresojë defektet e ligjit aktual”, theksoi Mustafa. Ndërsa, deputeti Ferat Shala njoftoi se PDK-ja ka një propozim për amendamentin e ligjit aktual për tatimin në pronën e paluajtshme, të cilin do ta dorëzojë sot në Kuvendin e Kosovës. Deputeti Shala tha se pas miratimit të këtij amendamenti, PDK-ja propozon të hapet një debat për të rishikuar në detaje këtë ligj. “Ky veprim juridik do të duhej të përfshinte: Normën tatimore, me mundësinë për të ulur kufirin e poshtëm të normës tatimore; zonimin dhe nënzonimin sipas legjislacionit në fuqi; kriteret dhe metodologjnëa e vlerësimit të pronave të përcaktohet me ligj. Të gjitha këto duhet të bëhen pasi të miratohet amendamenti i propozuar që i lë në fuqi normën tatimore ose lartësinë e tatimit siç ka qenë para rritjes së fundit”, tha ai. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.
Kosova Dhuna në familje, tre raste në Prishtinë e dy në Fushë Kosovë brenda 24 orëve 46 minuta më parë