PDK-ja nuk shkon në seancën e thirrur nga Kurti për referendumin

PDK-ja nuk shkon në seancën e thirrur nga Kurti për referendumin

NULL NULL
2 weeks më parë

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka bërë të ditur se nuk do të marrin pjesë në seancën e jashtëzakonshme të thirrur nga kryeministri Albin Kurti për të diskutuar synimin e Serbisë që referendumi i të dielës të mbahet edhe në Kosovë.

“Qeveria dhe mazhoranca kanë bërë thirrje për mbajtje të një seance për nesër, për të shtruar këtë temë për diskutim edhe në Kuvendin e Kosovës. PDK e sheh krejt të panevojshme thirrjen e kësaj seance, dhe nuk do t’i përgjigjemi”.

Ai, në një konferencë për media, theksoi se qëndrimi i PDK-së është për të mos lejuar një organizim të shtetit serb brenda territorit të vendit.

Megjithatë, Tahiri thotë se qeveria përmes një seancë të tillë po do që ta shmangë përgjegjësinë.

“Ne i kemi dhënë mbështetje një parimi që Qeveria e ka shtyrë përpara dhe mendojmë se kjo nuk ka nevojë të prodhojë debat të mëtutjeshëm, prandaj e konsiderojmë të panevojshme mbajtjen e një seancë të tillë e cila është përpjekje për shmangie të përgjegjësisë nga Qeveria e Kosovës”, ka thënë Tahiri.

Tahiri ka kritikuar Qeverinë e vendit se nuk mund të marrin vet një vendim për të menaxhuar këtë situatë.

“I bëjmë me dije kryeministrit se zbatimi  ligjeve dhe vendimeve qe rrjedhin nga ligjet është përgjegjësi ekskluzive e Qeverisë dhe jo e Kuvendit. Rendi ynë kushtetues nuk mund të mbrohet me rezoluta, e dimë se cili është karakteri i rezolutave që miratohen në Kuvendin e Kosovës. Qeveria i ka të gjitha instrumentet në dorë për të mbrojtur rendin tonë kushtetues dhe për t’i qëndruar mbrapa vendimeve të saj”, ka thënë Tahiri.