15:58, 30 Gusht 2016

Dega e Partisë Demokratike të Kosovë në Gjilan, pas ngritjes së aktakuzës ndaj Lutfi Hazirit nga Prokuroria Speciale për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ka deklaruar se për një gjë të tillë, kjo parti në këtë qytet kishe paralajmëruar kohë më parë.

“Partia Demokratike e Kosovës Dega në Gjilan, para dy viteve ka ngritur zërin e saj në Kuvendin Komunal të Gjilanit, për shkeljet serioze që janë bërë me ankandin publik të parkingjeve dhe me kohë ka denoncuar këtë rast në Prokurorinë Themelore të Gjilanit”, thuhet në reagimin e PDK-së.

Mirëpo, sipas PDK-së në Gjilan, edhe pas denoncimit në Prokurorinë Themelore të këtij qyteti, rasti është mbyllur sepse Lutfi Haziri ka joshur prokurat me punësime të familjarëve të tyre.

“Prokuroria Speciale e shtetit, ka vazhduar hetimet pas kërkesës së asamblistëve të PDK-së në Gjilan, të cilat kanë rezultuar me ngritjen e aktakuzës ndaj kryetarit të Gjilanit, i cili tashmë do të duhej të shqyrtojë pozicionin e tij si kryetar i komunës. Pas kësaj ai duhet të japë dorëheqje”, deklaron kjo parti.

Kjo parti konsideron se Gjilanin e ka kapluar kaosi dhe anarkia institucionale për vite të tëra dhe se buxheti komunal është zhvatur përmes tenderëve të korruptuar.

Konkurs Pune

Lexo më shumë