PDK hap zyrtarisht fushatën zgjedhore NULL NULL 16.09.2021 19:16 16.09.2021 19:16 Partia Demokratike e Kosovës ka hapur sot fushatën zgjedhore. Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, nëpërmjet një video-adresimi, tha se Partia Demokratike e Kosovës do ta shpalosë projektin e vet politik para qytetarëve në përputhje me rrethanat e rënda, të krijuara sipas tij, nga pandemia Covid 19 dhe keqmenaxhimi i saj nga Qeveria aktuale. “Kjo fushatë për zgjedhjet e 17 tetorit, e cila po fillon sot, në rrethana normale do të dukej ndryshe. Do të ishim bashkë, do t’ia shtrëngonim dorën njëri-tjetrit, e nga afër do ta ndanim vizionin për të ardhmen e një Kosove që na bashkon të gjithëve në nevojën për t’i transformuar qytetet tona. Por, Kosova nuk po kalon në rrethana normale. Kosova po kalon ditë të rënda, për shkak të pandemisë”, tha ai. Siç thuhet në komunikatë, Krasniqi kërkoi nga të gjithë kandidatët e PDK-së, strukturat partiake dhe mbështetësit e partisë në çdo komunë dhe në secilin nivel të organizimit, që të mos organizojnë tubime elektorale masive dhe të respektojnë në mënyrë strikte masat mbrojtëse dhe rekomandimet e institucioneve shëndetësore. “Atë që nuk do të mund ta ndajmë së bashku në takime publike e tubime të mëdha elektorale, do ta ndajmë së bashku në forma të tjera të komunikimit, si kjo formë digjitale që po e bëj unë sot. Ju siguroj se koncepti ynë politik e reformues, që i duhet komunave të Kosovës sot më shumë se kurrë, do të arrijë te secili qytetar. Sepse, koncepti politik i PDK-së për komunat e Republikës së Kosovës është domosdoshmëri dhe emergjencë. Së bashku, do ta vëmë në jetë potencialin e zhvillimit, kundër stagnimit që kemi parë këto katër vjet në shumicën e komunave”, tha Krasniqi. Ai tha se PDK, në këto zgjedhje, “hyn e reformuar, me frymë të re, me strukturë të re drejtuese, me kandidatë të duhur e kompetentë, si dhe me përfaqësim të mirëfilltë të qytetarëve të Kosovës”. “Misioni ynë themelor është mirëqenia e qytetarëve, zgjerimi i potencialit të ekonomive dhe perspektiva e pamohueshme e të rinjve anekënd Kosovës. Ditëve në vijim, kandidatët e PDK-së do të ndajnë me ju plane konkrete që këtë mision e bëjnë të mundur. Prandaj, edhe kërkojmë besimin tuaj. Jemi krenarë për të kaluarën, të angazhuar për të sotmen dhe absolutisht të pakonkurrencë për të ardhmen. Për komunat e Kosovës, kjo e ardhme nis më 17 tetor. E ardhme për qytetarët, përtej ngjyrave partiake. E ardhme që na bën bashkë për Kosovën”, tha Krasniqi. Këta janë kandidatët e Partisë Demokratike të Kosovës që garojnë për kryetar të komunave: Uran Ismaili për Prishtinën Bedri Hamza për Mitrovicën Agim Aliu për Ferizajn Shaqir Totaj për Prizrenin Leonora Bunjaku për Gjilanin Arbnesha Kuqi për Gjakovën Fadil Nura për Skenderajn Ramiz Lladrovci për Drenasin Floretë Zejnullahu për Podujevën Naim Ismajli për Shtimen Ferit Idrizi për Vushtrrinë Esat Raci për Klinën Besim Ilazi për Kaçanikun Shaban Shabani për Dragashin Ardiana Qorraj për Deçanin Bejtullah Deliu për Rahovecin Isni Kilaj për Malishevën Muhamed Kallaba për Kamenicën Bekim Azizi për Vitinë Murtez Zekolli për Suharekën Hyzer Rizani për Lipjanin Rrahim Tërnava për Fushë Kosovën Hanefi Musliu për Obiliqin Ali Nimanaj për Istogun Mehmet Ballazhi për Hanin e Elezit Fatos Shala për Junikun Selatin Nuhiu për Artanën Shaqir Hetemi për Leposaviqin *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.
Kosova Dy të vrarë e 6 të plagosur në kryeqytet më 2024 - kritikë për masat ndëshkuese (VIDEO) 12 orë më parë
Kosova “Jam familjare e Kurteshëve, por s’më punësuan ata, u punësova me meritë” (VIDEO) 12 orë më parë